75 Mall Live Search
15:01 / E Diele, 26 Qershor 2022 / MSH

Banorët e Rakovinës në hall me bashkëfshatarin e tyre, u pengon ndërtimin e parkut të fshatit

Banorët e fshatit Rakovinë të Gjakovës, tash e disa kohë janë duke pasur telashe me njërin nga bashkëfshatarët e tyre.

Kjo për shkak se ky i fundit po pengon punimet e planifikuara për parkun e fshatit, duke vendosur sillazhin dhe gjësende të tjera të fermës në rrugë, si pengesë.

Sipas njërit nga banorët e fshatit Rakovinë, i dyshuari, G.K., po e bën këtë gjë me qëllim.

“Ne kemi bë kërkesë në Komunë, për kanalizim dhe për ambient, për një park të vogël në pronë të Komunës dhe na është aprovu. Por, banori G.K., prapë vazhdon të njëjtin rast me qëllim të na bllokojë… Gjatë gjithë kohës kemi probleme dhe kercenime nga ai” pohoi për Indeksonline një nga banorët e fshatit, i cili preferoi të mbetet anonim.

Ai gjithashtu shtoi se për rastin në fjalë është në dijeni edhe policia.

Sipas tij, policia rajonale e Gjakovës të njëjtin e ka arrestuar më parë, pasi i dyshuari ka shkaktuar probleme edhe më herët në fshat.

Ndërkohë, banorët e tjerë tashmë kanë bërë një marrëveshje dhe kanë nisur mbjelljen e fidaneve në vendin ku parashihet të zëjë vend parku.