Burim Meta në krye të Listës Guxo në Ferizaj

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Burim Meta me vota unanime është zgjedhur kryetar i degës së Listës Guxo në Ferizaj.
Në fjalën e tij, Meta ka thënë se kanë shumë rrugë përpara, por ka thënë se edhe shumë vullnet për të bërë punë. Angazhimi në politikë, sipas tij, duhet të shihet si mundësi me ide, vision e përkushtim kreativ, t`u lehtësohet sadopak jeta qytetarëve.
“Kjo nuk do të bëhet brenda nate e as brenda muajve. Na duhet kurajo dhe durim, sepse gjërat e mira marrin kohë. Ne nuk duam të improvizojmë, por synim i yni është që nëpërmjet konsistencës dhe politikës realiste të gjejmë zgjidhje për shumë çështje që godasin jetën e qytetarëve tanë”, ka thënë ndër të tjera ai.
Postimi i plotë i Metës:
Lista Guxo tashmë ka mbajtur tre kuvende zgjedhore të suksesshme: në Mitrovicë, Prizren e Lipjan, duke zgjedhur në krye punëtorë e punëtore të mëdhenjë.
Puna jonë vazhdon në Komunat e tjera. Sot, po e përmbyllim me Ferizajn.
Po e mbyllim Kuvendin, por po e lëmë derën hapur, sepse duam t’a rrisim numrin e guximtarëve. Kemi shumë rrugë përpara, por kemi edhe shumë vullnet për të bërë punë. Angazhimi në politikë duhet të shihet si mundësi me ide, vision e përkushtim kreativ, t`u lehtësohet sadopak jeta qytetarëve.
Ne na duhet një rimëkëmbje ekonomike, ndaj për këtë gjë na duhen njerëz.
E di që ka shumë, ndaj na takon secili që t`u bëjmë ofertë studentëve, vajzave e grave, punëtorëve dhe gjithësecilit, i cili beson dhe guxon. Oferta jonë është e sinqertë. Po ofrojmë mundësi për të ndihmuar secili me kapacitetin e vet për t’a bërë Ferizajn dhe Kosovën çfarë e duam.
Kjo nuk do të bëhet brenda nate e as brenda muajve. Na duhet kurajo dhe durim, sepse gjërat e mira marrin kohë. Ne nuk duam të improvizojmë, por synim i yni është që nëpërmjet konsistencës dhe politikës realiste të gjejmë zgjidhje për shumë çështje që godasin jetën e qytetarëve tanë.
Na duhet një Ferizaj i denjë, këtë synojmë t’a bëjmë, prandaj kemi ofertën tonë politike.
Ne duhet të udhëhiqemi nga qëndrime parimore, të pandikueshme dhe besnike në linjën e politikës djathtiste. Orientimi ynë strategjik është i qartë, një Kosovë e orientuar nga vlerat perëndimore, anëtare e BE-së, NATO-s dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.
Nga ky prizëm, Guxo është këtu për t`i shërbyer qytetit e shtetit, qytetarëve pa dallim.
Duhet të guxojmë sot për të nesërmen. Duhet të guxojmë, sepse vetëm guximi shpaguhet. Prandaj, prej sot nisma jonë formësohet në subjekt dhe do ta bëj jetën e vet në një konkurrencë politike të ashpër. Por, ne jemi të përgatitur, këmbëngulës, me vizion të qartë dhe me guxim të bollshëm që gjërat t`i adresojmë siç duhet.
Prej Sot, Guxo është adresë!
Zoti i bekoftë guximtarët!


