75 Mall Live Search
21:55 / E Premte, 01 Korrik 2022 / MSH

Kurti thotë se ShBA i siguroi popullit të Kosovës mbijetesën

Në prag të 246 vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ambasada Amerikane në Kosovë u bë nikoqire e një kremtimi për nder të kësaj dite.

Pjesëmarrës ishin krerët e shtetit dhe shumë figura të tjera publike, të cilat u mikpriten nga ambasdori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier.

Pas këndimit të himnit kombëtar amerikan nga ambasadori Hovenier dhe luajtjes së himnit të Kosovës në piano, fjalë rasti mbajtën ambasadori Hovenier, presidentja Vjosa Osmani, si dhe kryeministri Albin Kurti.

Kurti tha se Deklarata e Pavarësisë së Amerikës prezantoi kthesën e madhe në historinë botërore, pasi historia moderne politike nuk mund të kuptohet shumë më pak e vlerësuar pa revolucionin amerikan dhe Deklaratën e Pavarësisë.

“Në fund të shekullit të 20-të, ndërhyrja humanitare e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe e udhëhequr nga ideja e supremacisë së të Drejtave të Njeriut mbi sovranitetin shtetëror, do të siguronte mbijetesën e popullit të Kosovës. Sot, ne jemi të përkushtuar ndaj jetës, lirisë, dhe kërkimit të lumturisë për vendin tonë, për rajonin tonë dhe më gjerë, pavarësisht nga raca, etnia, ngjyra, feja, bindjet politike, orientimi seksual ose çdo dallim tjetër real ose i perceptuar“, tha ai.

Kurti shtoi se në fillim të shekullit të 20-të, shqiptarët luftonin për të siguruar vendin e tyre në mesin e kombeve të pavarura të botës, dhe liderët tanë të atëhershëm i kishin shpresuar edhe idealet amerikane të Presidentit Wilson.