75 Mall Live Search
21:59 / E Premte, 01 Korrik 2022 / MSH

​Barcelona ndalon pirjen e duhanit në plazhe

Një rregullore e re që e bën të paligjshme pirjen e duhanit në plazhet e Barcelonës ka hyrë sot në fuqi.

Verën e kaluar, qyteti pilotoi një skemë të ngjashme në katër plazhe. Gjatë testit, studiuesit zbuluan një rënie të dukshme të numrit të duhanpirësve në plazhe, edhe pse ata që shkelën normën nuk u gjobitën.

Në Barcelonë, rreth 20 për qind e popullsisë pi duhan çdo ditë. Ndërkohë, një sondazh i zhvilluar nga bashkia e Barcelonës zbuloi se mbi 80 për qind e banorëve ishin në favor të plazheve pa duhan.

Pirja e duhanit jo vetëm që është e dëmshme për shëndetin e njeriut, por mund të jetë edhe e keqe për mjedisin.

Një studim zbuloi se mbeturinat e cigareve janë mbetjet e vetme më të bollshme në plazhet e Mesdheut Perëndimor, duke përfaqësuar 25 për qind të të gjitha objekteve të mbledhura.

Bishtat e cigareve duan një dekadë për t’u dekompozuar. Meqenëse janë të lehta, ata e gjejnë lehtësisht rrugën nga toka në det, ku dhe grumbullohen.

Bishtat lëshojnë kimikate në mjedis dhe mund të konsumohen nga kafshët e egra në të gjitha format e tyre, edhe kur ato shpërbëhen në mikroplastikë.

Barcelona është qyteti i parë i madh spanjoll që po lufton duhanin në plazhe, por trendi po rritet në të gjithë vendin.

“Deri në maj të vitit 2022, rreth 550 plazhe në të gjithë Spanjën e kishin të ndaluar përdorimim e duhanit, një rritje në mënyrë dramatike nga viti 2014, kur ishte e ndaluar pirja e duhanit në vetëm 15 plazhe”, sipas një organizate joqeveritare kundër duhanit.