Dyshimet për helmim të ujit në Kaçanik, ministri Krasniqi i shkon për vizitë kryetarit dhe i ofron ndihmë

Pas dyshimeve për helmim të ujit në Kaçanik, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka shkuar në këtë komunë ku është pritur në takim nga kryetari Besim Ilazi.
Temë kryesore e këtij takimi ishte çështja e ujit të pijes si dhe dyshimet për helmim të ujit.

Ministri Krasniqi i ka ofruar mbështetje dhe gatishmëri të institucioneve qendrore rreth situatës së krijuar.
“Mëngjesin e sotëm, Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi, priti në takim Ministrin e Administrimit dhe Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi. Temë kryesore e këtij takimi ishte çështja e ujit të pijes si dhe dyshimet për helmime në disa lokalitete të komunës sonë. Kryetari Ilazi e njoftoi ministrin se me të marrë informatën për dyshime në helmim të ujit të pijes në këto lokalitete është lajmëruar menjëherë Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës si dhe Kompania “ Bifurkacioni”. Kryetari shtoi se janë marrë mostrat e ujit për analiza kimike ku rezultati është negativ, ndërsa jemi në pritje edhe të analizave bakteriologjike. Ministri Krasniqi shprehu gatishmërinë e institucioneve qendrore për të ndihmuar dhe bashkëpunuar në rast nevoje rreth situatës së krijuar. Në takim u diskutuan edhe punë të tjera komunale e sidomos ato që ndërlidhen me administratën komunale” thuhet në njoftimin e Komunës së Kaçanikut./Indeksonline/