75 Mall Live Search
14:52 / E Premte, 08 Korrik 2022 / OSH

Konjufca në gjykatë për gazin lotsjellës: Veprimi ka qenë politik, s’i kam bërë dëm askujt

Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili po akuzohet se në gusht të 2016-ës, në cilësinë e deputetit ka hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit dhe ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.Konjufca tha se veprimi ka qenë politik dhe se pretendon që nuk ka përdorur kurrfarë arme, nuk i ka bërë dëm askujt dhe se s’kishte qëllim të tillë.

“Mbetem pranë asaj që kam thënë në shqyrtim fillestar, unë jam i pafajshëm, ky veprim ka qenë i natyrës politike. Pretendoj që nuk kam përdorur kurrfarë arme, deklaroj që jo vetëm nuk i kam bërë dëm askujt, po as s’kam pas qëllim të tillë”, tha Konjufca gjatë fjalës hyrëse.I njëjti shtoi se lidhur me veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”, nuk ka qenë pengesë serioze, ngase mbledhja u mbajt 30 minuta pasi e kishte bërë atë veprim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ajo që më mvesheshet për pengim të personit, nuk ka qenë ndonjë pengesë fort serioze, meqenëse ajo mbledhje u mbajt 30 minuta pasi që e kam bërë atë veprim, kështu që ka qenë një shtyrje veç 30 minuta e mbledhjes se kryesisë së Kuvendit, prandaj nga gjithë këto që i thashë nuk më duket se është vepër penale serioze”, deklaroi Konjufca.

Në seancë mungoi Adem Grabovci dhe Ismet Beqiri. Meqenëse nuk ishin prezent dëshmitarët, seanca e sotme u ndërpre, ndërsa e radhës u caktua më 22 korrik 2022.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Glauk Konjufcës, të cilin e ngarkon me dy vepra penale.Sipas aktakuzës, i pandehuri Konjufca po akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, i njëjti në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.