75 Mall Live Search
12:45 / E Enjte, 14 Korrik 2022 / AR

Konjufca dhe Kica abstenojnë Projektligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, pa mbështetjen e opozitës.

Opozita kundërshtoi dhe kërkoi që ky projektligj, të cilin e konsiderojnë kundërkushtetues, të mos hedhet në votim.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe deputetja e VV-së, Doarsa Kica abstenuan.

Por, burime të Indeksonline brenda Gjykatës Kushtetuese bëjnë të ditur se ka bazë që ky ligj të rrëzohet pas ankesave përkatëse.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u shpreh se kërkojnë gjithpërfshirje në reformën në sistemin e drejtësisë.

“Në qoftë se kryeministri vendos të shkojë pa konsultim, atëherë vazhdoni. Rruga e mbarë ju qoftë”, tha ai ndër tjerash, duke thënë se do të ndjekin rrugën institucionale.

“Propozimi im është që deri ta kemi një konkluzion për nismën tuaj për koordinim për procesin e vettingut, të mos votohet as ky projektligj. Besoj që pajtimi ishte që të kemi një pajtim”, tha ndërkaq shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi. Ai paralajmëroi edhe dërgimin e projektligjit në Gjykatën Kushtetuese.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, tha se dje u takuan dhe u morën vesh për t’i trajtuar “në pako” çështjet e vettingut, ndërsa ai i AAK-së tha po ashtu se duhet të ketë dakordim që, siç tha, “nëse do të ketë ndryshime kushtetuese, të ketë konsensus”.

Ai tha se projektligji bie ndesh me Kushtetutën dhe se ai duhet të kthehet dhe të diskutohet.