75 Mall Live Search
08:14 / E Martë, 19 Korrik 2022 / AR

Tronditet Borussia Dortmund, ylli i skuadrës rezulton me kancer në testikuj

Ylli i ri i Borussia Dortmundit, Sebastien Haller është detyruar të largohet nga kampi i stërvitjes parasezonale, pasi u diagnostikua me një tumor testikular. Lajmin e kanë konfirmuar gjigantët gjermanë në faqet e tyre zyrtare në rrjetet sociale.

Ish-sulmuesi i West Ham, Haller, 28 vjeç, arriti te verdhezinjtë e Bundesligës kësaj vere për një marrëveshje prej 30 milionë eurosh nga Ajax, më pak se dy javë më parë.

Në një deklaratë në faqen e internetit të klubit thuhet: “Sulmuesi i Borussia Dortmund, Sebastien Haller, duhej të largohej nga kampi stërvitor i BVB në Bad Ragaz, Zvicër, herët për shkak të sëmundjes dhe tashmë ka udhëtuar përsëri në Dortmund.

28-vjeçari nga Bregu i Fildishtë u ankua se nuk ishte mirë pas stërvitjes së të hënës në mëngjes. Gjatë ekzaminimeve intensive mjekësore, më në fund gjatë ditës u zbulua një tumor në testikuj. Gjatë ditëve në vijim do të kryhen ekzaminime të mëtejshme në një qendër të specializuar mjekësore”.

Drejtori sportiv i BVB, Sebastian Kehl tha: “Ky lajm sot erdhi tronditës për Sebastien Haller dhe të gjithë ne. E gjithë familja BVB i uron Sebastien shërim të plotë sa më shpejt të jetë e mundur dhe që ne të mund ta përqafojmë përsëri.

Do të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për të siguruar që ai të marrë trajtimin më të mirë të mundshëm. Borussia Dortmund kërkon që të respektohet privatësia e lojtarit dhe familjes së tij dhe të mos bëhen pyetje. Sapo të kemi informacione të mëtejshme, do t’ju ​​informojmë në konsultim me lojtarin”.