75 Mall Live Search
14:47 / E Martë, 19 Korrik 2022 / k.v

Analistët skeptikë për sukses të dialogut nën mandatin e Lajçakut

Vazhdimin e mandatit edhe për dy vjet për emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, analistët në Kosovë nuk e shohin me optimizëm. Sipas tyre, ai nuk do të sjellë ndonjë risi të dukshme për sa i përket procesit të dialogut, pasi siç theksojnë ata, deri tani nuk ka pasur sukses. Ndërkaq, takimi i planifikuar të mbahet sot në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka dështuar.

Takimi i cili ishte planifikuar të mbahej sot në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, ka dështuar për shkak, siç thuhet se presidenti serb i ka dhënë përparësi takimit me presidentin e Egjiptit. Ndërkohë, emisarit të BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, i është vazhduar mandati edhe për dy vjet, derisa analistët në Kosovë e shohin si jo të suksesshme punën e tij të deritashme, pasi siç thonë, rezultatet kanë qenë minore.

Njohësi i çështjeve politike, Shqiprim Pula, tha për Radio Kosovën se angazhimi i emisarit Miroslav Lajçak për dialogun Kosovë-Serbi nuk ka qenë i duhuri, për arsye se ai vjen nga shteti sllovak që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ndërsa, theksoi se gjatë mandatit të tij të deritashëm nuk ka pasur ndonjë rezultat dhe se ai vazhdon të jetë joneutral karshi këtij dialogu.

“Ri-emërimi i tij nuk sjell ndonjë risi të dukshme. Përmbajtësisht nuk do të ketë ndonjë zhvillim madhor. E vetmja gjë është që ai do të respektojë aspektin procedural e protokollar për sa u takon ftesave të dërguara për personat zyrtarë të të dyja shteteve për të vazhduar tutje me procesin e dialogut”, ka theksuar Pula.

Profesori universitar, Dorajet Imeri, tha për Radio Kosovën se procesi i dialogut Kosovë-Serbi mund të vazhdojnë pafundësisht nëse nuk përfshihen edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkaq, për rezultatet e deri tanishme të këtij dialogu përmes emisarit Lajçak, Imeri tha se ato tregojnë për pamundësinë që BE-ja mund të prodhojë një zgjidhje të qëndrueshme për palët.

“Natyrshëm që edhe në dy vitet e ardhshme nuk pres ndonjë ndryshim të madh, për aq kohë sa janë akterët e njëjtë dhe sa kohë që Bashkimi Evropian nuk ndërmerr veprime të tjera. E nëse eventualisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk marrin pjesë në mënyrë aktive në këtë proces, nuk mund të shoh që edhe në dy vitet e ardhshme të ketë një zgjidhje të pranueshme për palët”, ka thënë Imeri.

Sipas analistëve, bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë mund të ri-fillojnë në vjeshtën e këtij viti, ndërsa theksojnë se dialogu duhet të vazhdojë me temat të cilat kanë mbetur të hapura. Por, ata nuk presin ndonjë rezultat gjatë këtij viti për sa i takon përmbushjes së detyrimeve që u takojnë të dy shteteve. Analistët ripërsëritën se tashmë dihet që Serbia është ajo që ka zvarritur procesin e dialogut dhe nuk po gjen vullnetin politik për të bërë një kthesë, qoftë historike, për të përmbyllur çështjen e statusit të Kosovës, pasi kjo nënkupton njohjen e ndërsjellë.