Valon Murati reagon për nismën diplomatike të Ramës për raportin e Dick Martit

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka komentuar nismën e kryeministri shqiptar, Edi Rama, për raportin e Dick Martit.
Ai tha se raporti i Dick Martit, e më pas krijimi i Dhomave të Specializuara përveçse ka dimensionin e politikave ruse dhe serbe në raport me Kosovën, shqiptarët dhe UÇK-në, e ka edhe një dimension të interesave dhe qasjes perëndimore në raport me Rusinë, Serbinë dhe dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Postimi:
Nisma diplomatike e Ramës për raportin e Dick Martit, nismë personale, apo pjesë e ndryshimit të dinamikave gjeopolitike si pasojë e agresionit rus në Ukrainë?
Raporti i Dick Martit, e më pas krijimi i Dhomave të Specializuara përveçse ka dimensionin e politikave ruse dhe serbe (çdonjëra për hesap të vetë) në raport me Kosovën, shqiptarët dhe UÇK-në, e ka edhe një dimension të interesave dhe qasjes perëndimore në raport me Rusinë, Serbinë dhe dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Si qeveria e Kosovës ashtu edhe ajo e Shqipërisë kanë qenë krejtësisht të heshtura në kundërshtimin e këtyre proceseve, për më tepër ishin pjesë aktive (çdonjëra në mënyrën e vetë) edhe e miratimit të Raportit të Dick Martit e edhe e krijimit të Dhomave të Specializuara. Tani, nisma e Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për ta goditur këtë raport mbi të cilën është ndërtuar mekanizmi i paprecedentë në botë i Dhomave të Specializuara e që realisht do të shtronte rrugën për denigrimin e këtij mekanizmi, e paralajmëruar prej Kryeministrit Edi Rama gjatë qëndrimit në Prishtinë në qershor të këtij viti, po vihet në veprim. Madje sot kryeministri Rama edhe në ditën historikë për shtetin shqiptar, të fillimit të negociatave me BE-në e përmendi këtë çështje në Bruksel. Tani është interesant të dihet nëse kjo nismë e shtetit dhe qeverisë shqiptare është prapë po ashtu produkt i rrethanave dhe ndryshimit të kursit të politikës së SHBA-ve dhe partnerëve evropian në kontekstin e konfrontimit me Rusinë për Ukrainën dhe kudo tjetër në botë apo veç një nismë vetanake e Edi Ramës. Së paku mua, kjo e fundit po më duket pak e besueshme.