75 Mall Live Search
10:19 / E Mërkurë, 20 Korrik 2022 / B O

Ngjarje si nëpër filma, trafikantët djegin gomonen në Shëngjin

Gomonia e cila u vu në ndjekje pasditen e djeshme në brigjet e Vlorës, është gjetur e djegur sot në Shëngjin. Guardia di Finanza e ndoqi dje me helikopter mjetin lundrues që dyshohet se ishte i ngarkuar me drogë, ndërkohë që nga deti kontrollet i bënte Policia Kufitare.

Gomonia e dyshuar e ngarkuar me lëndë narkotike është konstatuar në grykëderdhjen e Vjosës dhe prej orës 17.00 të së martës, forca policore italiane ju vu në ndjekje. Duke qenë se hasi në rezistencë Guardia di Finanza kërkoi dhe ndihmën e Policisë shqiptare.

Në grykëderdhjen e Vjosës janë konstatuar dhe më parë skafe të ngarkuar me qindra kg drogë, në disa raste ngarkesat janë kapur bashkë me trafikantët. Siç shihet në foton e mëposhtme, gomonia ka qenë e mbuluar në pjesën e ngarkesës dhe në vendin ku qëndron drejtuesi.

Policia nuk ka mund dot të identifikojë drejtuesin e gomones dhe nëse në bord kishte persona të tjerë. Sot, pas disa orësh ndjekje intensive, mjeti lundures është gjetur i djegur në Shëngjin. Shërbimet e Policisë po punojnë për kapjen e personave përgjegjës.

Gomonia ka një gjatësi prej 7-8 metrash dhe e pajisur me tre motorë të fuqishëm pas.