75 Mall Live Search
17:02 / E Enjte, 21 Korrik 2022 / MSH

Inspektoriati e Policia reagojnë mbi videon e rrahjes së një qytetari

Inspektoriati Policor i Kosovës ka reaguar mbi videon e publikuar sot, ku shihet një person i cili rrahet nga policia në Prizren.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve në janar të vitit 2021 ka pranuar ankesë nga një qytetar i cili ankohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga zyrtarë policorë në Prizren” thuhet në komunikatë.

Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur më 17.01.2021 në Prizren.

Rasti është regjistruar në IPK dhe hetuesit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore.

Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente hetuesit e IPK-së kanë dorëzuar kallëzim penal ndaj një zyrtari policor të dyshuar në këtë rast me dyshimin se ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” si dhe në interes të hetimit është dhënë rekomandimi për suspendim nga detyra.

Ndërkohë, reagim ka pasur edhe nga Policia e Kosovës.

“Lidhur me kërkesën e disa mediave referuar videos së publikuar dhe shkrimeve nder to si “Policët rrahin në stacion një qytetar të arrestuar e me duar të lidhura” ju njoftojmë se nuk bëhet fjalë për ndonjë rast të ndodhur në kohën e tanishme, por kemi të bëjmë me një rast të rreth një viti më përpara, dhe lidhur me këtë rast me kohë janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme procedurale me kohë, ku zyrtarët policorë kanë qenë të suspenduar, kanë marrë masat ndëshkuese në pajtim me ligjet dhe procedurat e parapara për raste të kësaj natyre” thuhet në reagimin e Policisë.