Deputetja e VV-së ankohet, pasi u shpall fajtore për rastin e ABI Çarshisë

Deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Jetmire Vrenezi ka deklaruar se përveç vendimit të padrejtë gjyqësor në rastin e saj për rastin e ABI Çarshisë, aktgjykim ka arritur në adresën e saj me shumë vonesë.
Sipas saj, me këtë veprim është kaluar secilin afat procedural e ligjor dhe si rrjedhojë ka bërë që të vonohet e drejta për të ushtruar ankesë.
“Më në fund, sot dorëzova ankesën time në Gjykatë të Apelit me shpresën dhe mundësinë që të korrigjohet vendimi absurd dhe aspak i drejtë i Gjykatës Themelore në Prizren. Me veprimin tonë ne kemi mbrojtur interesin dhe pasurinë publike dhe po të vepronim ndryshe do të ishte shkelje dhe krim.
Duke besuar në veprimin tonë të drejtë besoj edhe në vendimin e kësaj shkalle që më në fund drejtësia të vihet në vend dhe interesi publik të ngadhnjejë”
Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Islam Thaqi dhe Jetmire Vrenezi për keqpërdorim të detyrës zyrtare, të njëjtit i ka dënuar me nga 3 vite burg dhe dy mijë euro gjobë.
Kurse, të akuzuarit tjerë në këtë rast Egzona Morina- Thaçi, Arian Taraku, Isë Bislimaj, dhe Shqipron Krasniqi janë liruar nga akuzat.
Aktgjykimi është shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Kimete Kicaj.
Në arsyetimin e aktgjykimit, gjykatësja Kicaj ka thënë se nga pamjet e transmetuara në televizione, vërtetohet se i akuzari Thaçi është shfaqur konsistent në rrënimin e objektit, ku pretendohej se kishte tejkalim të lejes.
“Nga pamjet e transmetuara në televizionet “TV Besa” dhe “TV Prizreni”, e të administruara si provë në shqyrtimin gjyqësor, vërtetohet se i pandehuri Islam Thaçi ditën kritike shfaqet konsistent në drejtim të realizimit të rrënimit të pjesës së objektit ku kishte tejkalim të lejes, e kjo manifestohej në mënyrën se si fliste dhe mënyrën se si sillej me personat që ishin tubuar aty”, tha gjykatësja Kicaj.
Sipas aktgjykimit, për të akuzuarën Vrenezi, gjykatësja Kicaj tha se në veprimet dhe deklarimet e të akuzuarës është theksuar dashja direkte për rrënimin e objektit të lartcekur. /Indeksonline/