75 Mall Live Search
15:56 / E Enjte, 28 Korrik 2022 / A. M.

KGJK miratohen tri rregullore e një udhëzues, shpall konkurs të brendshëm edhe për transferim të gjyqtarëve

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në takimin e 292-të të mbajtur këtë të enjte ka miratuar 4 akte normative dhe ka shpallur konkurs të brendshëm për transferim të përhershëm të gjyqtarëve.

Gjatë këtij takimi KGJK ka miratuar Rregulloren për organizimin dhe funksionimin e Sekretariatit të KGJK-së, Rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Gjykatën Komerciale, Rregulloren për transferimin e gjyqtarëve dhe Udhëzuesin për procedurën e dërgimit të shkresave nga gjykata, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, Këshilli gjatë këtij takimi ka shpallur edhe konkursin e brendshëm për transferim të përhershëm të gjyqtarëve.

KGJK po ashtu në këtë takim ka vendosur për transferim të përhershëm të gjyqtares Gordana Virijevic nga Gjykata Themelore e Prishtinës në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

Për një kërkesë të ngjashme Këshilli ka vendosur edhe në rastin e gjyqtarit Boban Aleksic për transferim të përhershëm nga Gjykata Themelore e Prishtinës në Gjykatën Themelore  të Gjilanit.

Po ashtu, Këshilli sot ka miratuar propozimin për ndryshimin e planit të punës së Gjykatës Themelore Prishtinë për vitin 2022.

Gjatë këtij takimi anëtarët e Këshillit autorizuan, kryesuesin e KGJK-së, Albert Zogaj të nominoj sipas vlerësimit një ose dy kandidat për Gjykatë Kushtetuese.

Si pikë tjetër e rendit të ditës ka qene edhe themelimi i Komisionit ad hoc për verifikimin e dokumentacionit të përkthyesve dhe interpretëve gjyqësorë të certifikuar më parë me aktvendime nga ish- Gjykatat e Qarkut dhe shpallja e njoftimit nga KGJK.

Po ashtu gjatë këtij takim janë aprovuar edhe kërkesat që dalin nga Projekti “Qasja e publikut në të dhëna gjyqësore”, prezantimi për aprovim i kërkesave funksionale për: Mekanizmin për përcjelljen e rasteve, Platformën për të dhënat e hapura dhe Platformën për mësimin elektronike.

Sipas menaxherit të projektit TIK/SMIL, Fatmir Rexhepit projekti “Qasja e publikut në të dhëna gjyqësore” pritet të përfundojë në fund të shtatorit dhe se kostoja e këtij projekti ka qenë rreth 2 milion dollarë e që sipas tij të gjitha kanë qenë donacion nga MCC.

Takimi ka vazhduar me pika tjera të rendit të ditës./BetimipërDrejtësi