75 Mall Live Search
22:44 / E Enjte, 28 Korrik 2022 / MSH

Alternativa shënon 5 vjetorin e themelimit, ambasadorë, ministra, deputetë dhe shumë zyrtarë të lartë ishin pjesëmarrës

Partia Alternativa ka shënuar dje 5 vjetorin e themelimit.

Në festën e partisë, ndër të tjerash, ishin pjesëmarrës edhe ambasadorë të huaj, përfshirë atë të Mbretërisë së Bashkuar, dhe atë të Maqedonisë së Veriut.

Në këtë kremtë të rëndësishme, e para e Alternatives, Mimoza Kusari-Lila, u shpreh e lumtur për arritjet e partisë, duke thënë se ideja e të dhënit Kosovës një alternativë në politike qendron pas krijimit të kësaj partie.

Ky është shkrimi i saj i plotë:

Mbrëmë shënuam 5-vjetorin e themelimit të subjektit Alternativa.
Mes bashkëpunëtorëve, miqëve dhe gjithë atyre që na mbështeten dhe uruan, folëm për rrugëtimin tonë të deritashëm dhe planet për të ardhmen.
Gjeni të plotë fjalimin tim me rastin e këtij përvjetori:
Të dashur pjesëmarrës, miq të Alternativës,
Të dashur anëtarë dhe veprimtarë të partisë e cila sapo mbushi pesë vite aktivitet,
I nderuari Kryetar i Kuvendit, z. Glauk Konjufca,
Të nderuar Ministra të kabinetit qeveritar,
I nderuari Ambasador Nicholas Abbot,
E nderuara Ambasadore e Republikës së Maqedonisë së Veriut, znj. Shpresa Jusufi,
E nderuara drejtore e NDI, zyra në Kosovë, znj. Nancy Soderberg,
Përfaqësues të asociacioneve të biznesit,
Të dashur kolegë deputetë, përfaqësues të mediave, shoqërisë civile, përfaqësues të institucioneve të vendit,
Pesë vite në jetën e njeriut mund të mos duken me peshë apo hapësirë kohore për ndryshim. Rasti i Kosovës e demanton këtë perceptim.
Në pesë vitet e fundit, prej kur Alternativa si subjekt zyrtarisht u prezantua në skenën politike të Kosovës, vendi, pra Kosova jonë e dashur, kaloi në: tre palë zgjedhje nacionale, u administrua nga katër Qeveri dhe me sukses i kaloi edhe dy palë zgjedhje lokale. Pra, shumë ngjarje ndodhën për pesë vitet e fundit në Kosovë.
Roli i Alternativës, në këto zhvillime ishte të pjesëmarrja aktive në jetën institucionale dhe politike të vendit.
Ideja e themelimit të partisë së re, me orientim liberal demokrat është e mbërthyer në emrin e vet, t’ja ofrojë skenës politike në Kosovë një alternativë Politike.
Megjithatë, në kohën kur Alternativa u prezantua, në Korrik të 2017-tes, ishin rrethanat të cilat treguan se:
Koncepti i integritetit territorial të vendit është i pacenueshëm dhe nuk ka alternative.
Bisedimet me Serbinë përveq se në baza të barabarta dhe me njohjen në qendër, nuk kanë alternativë, si dhe, rendi dhe ligji në Kosovë, zhvillimi i qëndrueshëm, kërkojnë përbashkimin e forcave progresive dhe me ide të qarta e vlera të konfirmuara.
Në këto premisa, në zgjedhjet e para qendrore, në Qershor të vitit 2017-të, në kohën kur kishim aplikuar, por ende nuk ishim regjistruar zyrtarisht si parti, Alternativa debutimin në skenën politike të Kosovës me procesin e pare zgjedhor, hyri në koalicion me partinë me përvojën më të gjatë aktive, Lidhjen Demokratike të Kosovës. Rezultati i atyre zgjedhjeve nxorri dy deputetë nga Alternativa në Kuvendin e Kosovës, mu dhe bashkëthemeluesin tjetër të Alternativës, Ilir Deda.
Veprimtaria jonë në legjislaturën e gjashtë të Kuvendit, ishte nga opozita, në bashkëpunim me LDK-në dhe LVV-në.
Ashtu siç ishim dëshmitarë, dinamika e zhvillimeve politike të vendit, e kërkoi një qartësi të rreshtimit të subjekteve politike dhe koncepteve programore të tyre. Andaj, prej pranverës së vitit 2019, dhe në vazhdimësi, bashkëpunimi i Alternativës me Lëvizjen Vetëvendosje u intensifikua dhe u zyrtarizua me listën e përbashkët në zgjedhjet e Tetorit të vitit 2019-të, duke u pasur me bashkëpunimin edhe me Listën Guxo, në zgjedhjet me karakteristikat më të veçanta që nga shpallja e pavarësisë, ato të zgjedhjeve të Shkurtit 2021.
Në pesë vitet e fundit si subjekt i ri, tri nga këto pesë vitet tona, i kemi kaluar në bashkëpunim të ngushtë dhe konstruktiv me Lëvizjen Vetëvendosje. E majta progesiste me Liberal demokratën në sistemin e Kosovës, u treguan në bashkëpunim të suksesshëm deri më tani.
Përderisa po e shënojmë 5 vjetorin e themelimit, dua të falenderoj përzemërsisht, aktivistët dhe bashkëpunëtorët nga LVV për besimin dhe privilegjin të udhëheq grupin më të madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës.
Përveq se me forcat politike, bashkëpunimin dhe mbështetjen si subjekt e kemi pasur edhe nga organizatat ndërkombëtare dhe të cilat veprojnë në Kosovë.
Alternativa u mbështet nga Westminster Foundation for Democracy dhe program i tyre i partive politike. Kjo organizatë e Mbretërisë së Bashkuar ndihmoi përgaditjen dhe publikimin e progamit qeverisës të Alternativës në vjeshtë të vitit 2019 (një kopje nga ky program, mund të merrni sot). Ndërsa, në bashkëpunimin me partitë simotra nga Britania e Madhe, ishin ata të cilët e projektuan bashkëpunimin tonë me qendrën e Majtë.
Me organizimin e Westminster Foundation në Mars të vitit 2019, ne vizituam Welshin në Mbretëri të Bashkuar, dhe ishim prezentë gjatë procesit zgjedhor në nivelin lokal në një nga komunat atje. Ishte një përvojë e veçantë, edhe pse mbaj mend se Plaid Cumry më shumë më ngjante në Lëvizjen Vetëvendosje, se sa në Alternativen.
Për këtë përvojë dha bashkëpunim, dua të falenderoj publikisht Ambasadorin e Britanisë së Madhe, z. Nicholas Abbot, për besimin dhe bashkëpunimin ndër vite.
Një organizatë tjetër e cila vazhdon besimin dhe mbështetjen për partitë politike, përfshirë Alternativën, është program NDI i financuar nga USAID, përmes të cilit, ne kemi marrë pjesë në organizimet rajonale dhe kemi zhvilluar politikat tona për transparencë dhe llogaridhënie.
Gjithashtu, falenderoj znj. Nancy Soderberg për prezencën e saj sot këtu me ne dhe mbështetjen e organizatës që ajo drejton, për Alternativën.
Ka shumë reflektime dhe mësime nga pjesëmarrja dhe bashkëpunimi i Alternativës në proceset zgjedhore. Disa të cilat dua t’i ndaj në këtë përvjetor janë:
Pjesëmarrja e grave në zgjedhje dhe kuota, jo vetëm që funksionojnë, por japin edhe rezultate përtej pritshmërive.
Lista për asambleistë lokalë nga Alternativa, në zgjedhjet lokale të vitit 2017, nga 38 kandidatë në garë ishin, 20 gra dhe 18 burra. Më shumë së pjesëmarrja pak më e lartë e grave, ishte rezultati i zgjedhjes së tyre. Nga gjashtë asambleistë sa Alternativa arriti ti fitojë ulëse në Kuvendin komunal, katër ishin gra, e dy burra. Zgjedhjet lokale për të parën e Gjakovës i humbëm, por vlerën e mësimit në politikë do të vazhdojmë ta ndajmë edhe me të tjerët.
Ky është një mesazh dhe konfirmim që të gjithë bashkë duhet të bëjmë më shumë dhe më fortë për pjesëmarrje të grave në listat zgjedhore dhe në pozitat udhëheqëse brenda dhe jashtë institucioneve të vendit. Kosova ka shënuar një progress të theksuar në përfshirjen e grave dhe vajzave në politikë, por jam e vetëdijshme se ende mbetet sfidë, angazhimi i gave dhe zgjedhja e tyre për Kryetare të Komunave në mbarë vendin.
Duke bartur me përgjegjesi dhe krenari përvojën si e para Kryetare grua e zgjedhur e një komune në Kosovë, mbes e përkushtuar në angazhimin për ndarjen e kësaj përvoje dhe inkurajimin e grave për të garuar në nivelin lokal.
Fuqizimi ekonomik i grave, mbetet një temë tjetër me peshë, për të gjithë ne në Alternativë. Në frymën e njejtë, të barazisë dhe mundësive të barabarta, ishte edhe amandamenti i propozuar në vitin 2018, për Ligjin për shoqëritë tregtare, për pjesëmarrje të grave në Bordet e Shoqërive aksionare.
Ai amandament, edhe pse me polemika të natyrave të ndryshme, sot ka dhënë rezultatin e vet dhe numri i grave vendimarrëse në Bordet e Sh.A. është më i madh se kurdo herë më parë. Asokohe, ai amandament u mbështet nga deputetet dhe deputetët e partive në opozitë dhe pozitë. Ndërsa, ishin deputetet gran ga komuniteti pakicë që bën dallimin për të kaluarr amandamenti.
Sot, duhet të përmendet edhe angazhimi i Qeverisë Kurti, për të propozuar numër të balancuar të grave dhe burrave si asnjëherë më parë në Bordet e ndërmarjeve publike në Kosovë.
Përtej të shkuares, dhe njohjes e mirënjohjes për atë çfarë kemi kaluar në këto pesë vite, përvjetorët janë të rëndësishëm për të reflektuar në rrugën tonë përpara. Në kohën kur vlerat liberal demokrate po sfidohen në mbarë Botën, në forma dhe mënyra të ndryshme. Ndërsa, brutaliteti i filluar me 24 Shkurt, në agresionin e paprovokuar Rus, ndaj Ukrainës, tregon për lëndueshmërrinë e demokracisë dhe vlerave liberale ndaj forcave të errëta që ende fatkeqësisht zënë qeverisjet e vendeve nëpër Botë.
Ky fakt është rikujtim i vazhdueshëm për të mos e marrë demokracinë dhe lirinë për të qenë. Për të mos e ngadalësuar hapin dhe angazhimin e secilit burrë dhe grua, djalë dhe vajzë në shoqëri, pa dallim moshe dhe etnie, për avansim dhe forcim të shtetit të së drejtës dhe barazisë, bashkë me mundësitë e barabarta për të gjithë pa dallim.
Për të forcuar dhe aleancat demokratike dhe për promovuar vlerat liberale, brenda dhe jashtë vendit, Alternativa në të ardhmen e afërt planifikon bashkëpunimin me partitë simotra liberale në rajon dhe Evropë. Anëtarësimin në rrjetet e tyre dhe ngritjen e politikave të cilat avansojnë të drejtat e individit në shoqëri, drejtësinë dhe paqen, zhvillimin e qëndrueshëm dhe liritë ekonomike si dhe, në qendër të mbajmë politikat e mjedisit të pastër dhe ekonomisë qarkore.
Shpeshherë humbet fokusi në shoqëri për ndërlidhjen e politikave të barazisë me politikat e mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Të gjitha sillen rreth një boshti, dhe ne do të bëjmë maksimumin të jemi promotor dhe bartës të tyre.
Në këtë frymë, ne sapo kemi përmbyllur Kuvendin e dytë zgjedhor të subjektit tonë, por, do të vazhdojmë shtritjen dhe zgjerimin në komunat dhe rajonet e Kosovës.
Aktualisht Alternativa është prezente me zyre dhe përfaqësues në, Prishtinë, Gjakovë, Pejë, Prizren, Mitrovicë dhe Vushtri. Ndërsa, e kemi filluar edhe krijimin e databazës së anëtarëve dhe së shpejti do të jemi prezent me aktivitetet programore.
Jemi të vetëdijshëm që shoqëritë në tranzicion, demokracitë e reja kanë një hendek i cili duhet të plotësohet në raport me vlerat e mirëfillta liberale, por përderisa mbetemi të përkurshtuar lirisë dhe vlerave të demokracisë, të pranimit të tjerëve që lindin apo bëhen ndryshe nga ne, me respekt dhe të drejta të barabarta në zhvillim, Jemi të bindur se hendeku do të zvogëlohet dhe shoqëria do të përparojë.
Ashtu sikur besojmë se Kosova e vogël, ka hapesirë për të gjithë pa dallim gjinie, etnie, feje, ngjyre apo orientimi seksual, do të punojmë ta bëjmë realitet vendin e mundësive dhe rilindjes së vazhdueshme për vlerat demokratike.
Në emrin tim dhe gjithë bashkëpunëtorëve të mi nga Alternativa, ju falenderoj nga zemra për pjesëmarrjen tuaj dhe besimin e bashkëpunimin tone ndër vite.
Falenderoj bashkëpunëtorët nga Alternativa për punën e palodhshme për këtë organizim dhe gjitha tjerat që do të pasojnë!