75 Mall Live Search
18:36 / E Martë, 02 Gusht 2022 / k.v

Tinka Kurti: Kuvendi është institucioni i parë që do të ketë dhomën e gjidhënies

Kryetarja e grupit të grave deputete, Tinika Kurti ka njoftuar se Kuvendi i Kosovës është institucioni i parë që do të ketë dhomën e gjidhënies.

“Këtë kërkesë e kam bërë si Kryetare e GGD-së pas tryezës që kishim mbajtur me këtë temë. Jam fort e lumtur që Kryetari i Kuvendit dhe Sekretari e kanë aprovuar dhe kjo tashmë është duke u realizuar. Deputetet dhe të punësuarat e Kuvendit të cilat kanë nevojë t’i ushqejnë fëmijët e tyre me qumësht gjiri do ta kenë së shpejti këtë hapësirë të veçantë e cila po bëhet sipas rekomandive të OBSH-së. Tjetër rekomandim i kësaj organizate është edhe hartimi i politikave përkrahëse, zbatimi i tyre por edhe promovimi nga politikanet e politikanët”, ka njoftuar deputetja e VV-së, Tinika Kurti.

Një kërkesë e tillë, sipas saj do t’u dërgohet institucioneve të tjera publike e madje inkurajohen edhe ato private. Kurti shpreson se dhoma brenda Kuvendit do të jetë modeli që përhapet shpejt.

“Kjo është e rëndësishme për të drejtat e grave në punë. Është e rëndësishme për mirëqenien e grave gjidhënëse e të punësuara dhe nganjëherë jetike për fëmijën. Gjidhënia është mirëqenie. Gjidhënia është politike”, ka shkruar deputetja në profilin e saj në Facebook./IndeksOnline/