Mehaj e Kurti organizojnë ndejë në Jezerc për nder të mërgimtarëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, kanë marrë pjesë në ndejën e përvitshme të organizuar për nder të mërgimtarëve, në malet e Jezercit, shkruan IndeksOnline.
Mehaj tha se mërgata çdoherë ka qenë shtysa më e madhe e ndryshimeve, energjia e lokomotiva që ka mbajtur gjallë popullin e atdhedashurinë.
Ai tha se iu uron pushime të këndshme në Kosovë 2 milion mërgimtarëve që erdhën gjatë dy muajve të fundit.
Postimi:
Sot, në mes të bukurive të maleve të Jezercit, në ndejën e përvitshme të organizuar për nder të mërgimtarëve, pata rastin të bashkëbisedoj me bashkëatdhetarët tanë të cilët jetojnë e veprojnë në vende të ndryshme të botës, por që zemrën e mendjen gjithmonë e kanë në Kosovë.
Mërgata çdoherë ka qenë shtysa më e madhe e ndryshimeve, energjia e lokomotiva që ka mbajtur gjallë popullin e atdhedashurinë, andaj sot e gjithmonë pritshmëritë e tyre, vizionin që e kanë për atdheun e mënyrën e qeverisjes duhet ta realizojmë.
Kritikat e kёshillat mё tё dobishme vijnё nga ata tё cilёt kanё parё shembuj tё mirё, prandaj janё aq tё nevojshme kёto takime.
Me 14 shkurt, bashkë kemi ndryshuar mendësinë politike, e çdo ditë jemi duke punuar për t’iu ofruar qytetarëve tanë siguri, stabilitet, kushte më të mira jetese, ndjenjën e barazisë me fqinjtë tanë e me çdo vend evropian në secilin aspekt.
Atdheu, është pulsi që na mban gjallë, e ne të gjithë bashkë jemi garantuesit që të mirat e këtij vendi t’i gëzojmë së bashku.
Mbi 2 milion mërgimtarëve që kanë hyrë në Kosovë gjatë këtyre dy muajve, ju dëshiroj pushime të këndshme.






