75 Mall Live Search
15:29 / E Enjte, 01 Shtator 2022 / k.v

“Ballkani i Hapur” mbledh në Beograd, Ramën, Vuçiqin e Kovaçevskin |Video

Në Beograd janë mbledhur sot drejtuesit e tri shteteve ballkanike, pjesë e nismës “Ballkani i Hapur”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, priti kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Dimtar Kovaçevski.

Mes tyre, edhe pse jo pjesë e nismës “Ballkani i Hapur” ndodhet edhe kryeministri i shkarkuar i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Në kuadër të kësaj  nisme, këtë herë nga 2 deri me 4 shtator, mbahet Panairi i Verërave.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, tha se qëllimi i nismës rajonale “Open Ballkan” është shumë më tepër sesa ekonomik e politik, sepse siç tha ai, është  një projekt bashkëjetese në paqe.

“Sot këtu janë 22 prodhues nga Shqipëria. Kjo është një nismë për njerëzit”, tha Rama.

“Ballkani i Hapur’ është shumë më tepër se ekonomi e politikë, është një projekt paqeje dhe bashkëjetese në paqeje, projekt i bashkimit në paqe të një vizioni të përbashkët për të ardhmen”.

“Më duhet të flas në gjuhën time të çuditshme sepse nuk e njoh gjuhën tuaj të çuditshme”, tha Rama në gjuhën shqipe.

Ai tha se vendos mos e përdor fjalën që ka përdorur ekipi i tij, sepse fillonte me shprehjen që  në Shqipëri, është krijuar vera e parë që në epokën e bronzit.

“Nuk e di sa e vërtetë është kjo, por kemi humbur shumë kohë se kush e ka marrë i pari të drejtën që të jetojmë në këtë vend”.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç në fjalën e tij gjatë edicionit të parë të Panairit të Verërave, ka deklaruar se “Ballkani i Hapur” nuk i ka sjellë asgjë të keqe askujt.

Teksa tha se “Ballkani i Hapur” ka pasur gjithnjë kritika, Vuçiç premton se ideja e tij, Ramës dhe Kovaçevskit  do të vijojë dhe do punohet edhe më fortë për të gjithë qytetarët.

Ndërsa Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski e cilësoi si një mundësi të shkëlqyer Panairin e Verërave.

Kovaçevski theksoi se ky panair do të shndërrohet në traditë dhe do ofrojë mundësi të shumta bashkëpunimi.

Më tej Kovaçevski shtoi se Maqedonia e Veriut është vendi i dytë eksportues i verës në rajon dhe e 29-ta në rang global.

“Ballkani i Hapur” herën e fundit ishte mbajtur në Tiranë në janar të këtij viti.

Pjesë e kësaj nisme janë Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut, por jo edhe Bosnje e Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi./RTK/