Në samitin “Ballkani i Hapur”, pritet firmosja e marrëveshjes për tregtinë

Mbahet sot (2 shtator) në Beograd Samiti i “Ballkanit të Hapur”. Sipas Tanjug, në takim do të marrin pjesë Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, Kryeministri Edi Rama, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, Kryeministri në detyrë i Malit të Zi Dritan Abazoviç, kryetari i Këshillit të Ministrave të BeH Zoran Tegeltija, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë i Hungarisë Peter Sijarto dhe shefi i diplomacisë turke Mevlut Çavuşoğlu dhe do të drejtohet nga Vuçiç, Rama dhe Kovaçevski.
Në këtë samit, pritet firmosja e marrëveshjeve për heqjen e kufizimeve për tregtimin e produkteve ushqimore. Sipas marrëveshjeve Shqipëria do të furnizojë me qymyr Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut që ato të prodhojnë energji elektrike brenda rajonit në kushtet e krizës energjetike, ndërsa ato do të heqin kufizimet për të furnizuar Shqipërinë me grurë, misër dhe vaj me kushtin që këto produkte të mos rishiten në treg tjetër. Sakaq, më 1 shtator u hap në Beograd dhe Panairi i Verës në kuadër të nismës së “Ballkanit të Hapur”.
AXHENDA
09.50 – Mbërritja e Kryeministrit në samit
Kryeministri mirëpritet nga Presidenti dhe Kryeministri i Republikës së Serbisë
09.55 – Foto familjare e liderëve
10.00 – Hapja e samitit “Open Balkan”
11.00 – Takim me përfaqësues të grupit të investimeve të Open Balkan
12.00 – Takim me përfaqësues të grupit të krizave ushqimore dhe energjetike të Open Balkan
13.00 – Ceremonia e firmosjes së marrëveshjeve
13.05 – Konferencë për shtyp e liderëve