Haziri i reagon Kurtit: Kosovarët kudo në botë kanë me të mbajt në mend si politikan që nuk din me qeverisë

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka reaguar pasi akuzave se kryeministri Albin Kurti i quajti analfabet diasporën.
Ai ka shkruar se diaspora e mban gjallë Kosovën, tash e 60 vite, dhe se Albin Kurti i ka ofenduar dhe poshtëruar mërgatën.
‘’Diasporën që tash e 60 vjet e mban gjallë këtë vend, e 23 vjet pas luftës e ruan paqen sociale, kurrkush nuk e ka goditur e ofenduar në këtë masë sa Albin Kurti. Me i quajt ‘analfabete funksionalë’ mërgatën tonë, është poshtërimi e lëndimi më i madh që ua ka bërë dikush ndonjëherë’’.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë së bashkatdhetarët tanë janë heronjtë e gjallë edhe të ditëve të sotme, duke iu falënderuar deri në përulje.
‘’ Bashkatdhetarët tanë janë heronjtë e gjallë edhe të ditëve të sotme. Falënderim deri në përulje gjyshërve, baballarëve, vëllezërve, motrave, nipave e mbesave tona, të cilët nuk e harruan kurrë vendlindjen e prejardhjen. Ata një pjesë bukur të mirë të kuletës së tyre vazhdojnë ta ndajnë edhe sot për këtë vend’’. ka shkruar Haziri.
Postimi i plotë:
Diasporën që tash e 60 vjet e mban gjallë këtë vend, e 23 vjet pas luftës e ruan paqen sociale, kurrkush nuk e ka goditur e ofenduar në këtë masë sa Albin Kurti. Me i quajt ‘alalfabetë funksionalë’ mërgatën tonë, është poshtërimi e lëndimi më i madh që ua ka bërë dikush ndonjëherë.
Në vitet 60-ta gjyshërit e baballarët tanë migruan si punëtorë krahu e asistentë për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike e politike si pasojë e regjimit të kohës, por nga gjenerata e dytë, e veçanërisht ajo e tretë, dolën mjekë, inxhinierë, profesorë, biznesmenë e zanatli tepër të suksesshëm, të cilët sot na bëjnë krenarë me arritjet e tyre.
Bashkatdhetarët tanë janë heronjtë e gjallë edhe të ditëve të sotme. Falënderim deri në përulje gjyshërve, baballarëve, vëllezërve, motrave, nipave e mbesave tona, të cilët nuk e harruan kurrë vendlindjen e prejardhjen. Ata një pjesë bukur të mirë të kuletës së tyre vazhdojnë ta ndajnë edhe sot për këtë vend.
E këta që po ikin sot, po ikin prej teje, prej regjimin tënd që po administron me Kosovën. Kosovarët këtu e kudo në botë, kanë me të mbajt në mend si politikan që s’ka ekip e që nuk di me qeveris, por që i di veç dy gjëra: me i blloku proceset e me i lëndu njerëzit.
Për Kurtin e kam një mesazh: besimi i shumicës së bashkatdhetarëve ka me t’u kthy me mosbesim shumë shpejt. S’kanë me ta falë!