75 Mall Live Search
18:25 / E Hënë, 05 Shtator 2022 / LB

​Borrell nuk është optimist për marrëveshjen bërthamore me Iranin

Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell tha se sot ai është më pak optimist se më parë për arritjen e një marrëveshjeje të shpejtë për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të Iranit.

“Me keqardhje them se sot jam më pak i sigurt se 28 orë më parë për perspektivat për përfundimin e një marrëveshjeje”, tha ai në Bruksel.

Teherani ka kërkuar përfundimin e hetimit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) për aktivitetet bërthamore, tha më herët sot zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Nasser Kanani.

“Përfundimi i hetimit të agjencisë është pjesë e garancive që ne kërkojmë për të pasur një marrëveshje bërthamore të qëndrueshme dhe afatgjatë”, tha Kanani.

Javën e kaluar Irani dërgoi përgjigjen e tij të fundit ndaj tekstit të draftit të BE-së, i cili synon të kapërcejë ngërçin në ringjalljen e marrëveshjes bërthamore.

Teherani duhet të frenojë programin e tij bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike të SHBA-së, BE-së dhe OKB-së.