75 Mall Live Search
19:06 / E Hënë, 12 Shtator 2022 / LB

Shala: Qeveria me sjelljen ndaj grevistëve sikur don të krijojë situata e skena të pamenxhueshme

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka shpallur më 25 gusht të këtij viti grevë të përgjithshme të të punësuarve për shkak të mosrealizimit të kërkesave të tyre nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Gjatë gjithë kësaj kohë është bërë thirrje e vazhdueshme për kthimin e nxënësve në shkolla dhe ndërprerjen e grevë në arsim dhe administratat komunale, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Ferat Shala ka thënë se është e pabesueshme dhe e panatyrshme sjellja e qeverisë ndaj një kategorie njerëzore, intelektuale e kombëtare, siç janë kategoria e punëtorëve të arsimit dhe sindikatave.

“Është e palogjikshme, sepse Qeveria me sjelljen e saj edhe me mospërfilljen që ka në raport me arsimin në përgjithësi dhe shumë sektorë tjerë sikur don të krijoj skena e situata të papërgjegjshme e të pamenaxhushme, duke krijuar improvizime të tilla arrogante me moskumunikim. Komunikimi është parimi bazë njerëzor të cilin qeveria e ka obligim kushtetues e njerëzor me të gjitha kategoritë shoqërorë të këtij vendi ta kryej”, ka thënë Shala për Indeksonline.

Më tutje, ai ka thënë se nga e enjtja e kësaj jave, fillohet me agjendën e re legjislative dhe do të diskutojnë për këto tematika, për të parë se si mund të dilet nga kjo situatë dhe si duhet të ndryshoj Qeveria në raport me kërkesat siç i quan ai legjitime dhe legale të arsimit dhe të administratës./Indeksonline/