Flet ish-ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi: Institucionet udhëhiqen nga njerëz me inate personale

Ish-ministri i arsimit në Qeverinë Haradinaj, Shyqyri Bytyqi, në një intervistë për IndeksOnline ka deklaruar se vendi është futur në javën e tretë që mësimi nuk po mbahet dhe kjo është një humbje e parikuperueshme.
Bytyqi tha se Qeveria dhe SBASHK-u duhet t’i lënë më një anë inatet dhe se duhet të jenë më të përgjegjshëm.
“Kur institucionet në të dy anët, udhëheqin nga njerëz me inate personale, gjithmonë dëmet janë shumë më të mëdha dhe si duket edhe fillimi i takimit ka qenë më këtë ide, që mos të këtë rezultat. Ka pasur shumë vonesa në startimin e bisedimeve mes dy palëve, që të eleminohen në kohë çështja e parashtruar tashmë nga SBASHK-u, por si duket gjithmonë duke treguar kush është më i forti, jemi ardhur deri në këtë gjendje. Nuk është e tolerueshëm që për shkaqe të inateve të caktuara të kemi një dëm kaq të madh. Konsiderojë se duhet të jenë më të përgjegjshëm, ka zgjidhje, ka alternativa, mundësitë ekzistojnë sepse duke pasur parasysh se qysh në vitin 2019 ligji për pagat ka qenë i miratuar, edhe është prit që do të këtë një ndarje të buxhetit shumë më të madh në sektorin publik. Është dashtë të mendohet se duhet të këtë një ndarje buxhetore më të madhe seç është paramenduar. Nuk është shumë arsyetim që nuk ka ndarje buxhetor”, ka deklaruar Bytyqi për IndeksOnline.
Ish-ministri gjithashtu është shprehur se Qeveria ka hezituar të takohet më kryesinë e sindikatës dhe ka çuar deri në këtë gjendje arsimin.
“Në fillim është hezituar, ka pasur një injorim nga institucionet për t’i marruar parasysh kërkesat e SBASHK-ut, me vonë është filluar me metoda të tjera, siç është propozimi i pakos, i cili u publikua pa u konsultuar fare më pjesën e sektorit që kërkonte një rritje të pagave deri në një kohë të caktuar. Nuk është parë në horizonte deri tash që kanë qëllim të zgjedhjes së problemeve, por është parë thjesht për të treguar kush janë më të fortë dhe për të treguar inate dhe kjo padyshim që i shkakton një dëm të madh pjesës më të pafajshme, nxënësit”, ka thënë Bytyqi.
Ai bëri të ditur për IndeksOnline se kompensimi i orëve është thjesht humbje kohe, pasi sipas tij, ato nuk kanë më efekt.
“Edhe ne kur kemi udhëhequr ministrinë, kemi tentuar të bëjmë zëvendësimin e orëve pas humbjes që është shkaktuar dhe pas arritjes së një marrëveshje me SBASHK-un, por thjesht ka qenë çështje formale se sa kompensohet dëmi i asaj kohë që është humbur. Dhe këtu qëndron problemi, mund të gjendet një gjuhë e përbashkët por mund të jetë me vonesë dhe mund të realizohet një kompensim i orëve të humbur por prapë nuk e ka efektin e njëjtë. Aq më shumë pasi kemi kaluar një periudhë të rendë, kemi pasur humbje të mëdha nga pandemia, kjo tashmë është një humbje më e madhe”, tha ai.
Bytyqi shtoi se në kohën kur ka qenë ministër i arsimit, ka qenë pika ndërmjetësuese mes Qeverisë dhe SBASHK-ut, por bëri të ditur se ka pasur seriozitet kurse tashmë kësaj qeverie po i mungon.
Ai gjithashtu tha se ministrja Nagavci do duhet të ishte në këtë rast ndërmjetësuesja.
“Edhe në kohën tonë kemi pasur greva, kanë zgjatur jo pak, por në asnjë moment nuk kemi hezituar që të ulemi dhe të bashkëbisedojmë me SBASHK-un, edhe para fillimit të grevës dhe gjatë grevës. Kur tregohet nga të dyja anët që një vullnet dhe një seriozitet mes gjetjes së zgjidhjeve, kjo në një moment të caktuar vije. Kjo po mungon, një seriozitet i dyanshëm që të ulen dhe të gjënë alternativen. Unë si Ministër i Arsimit e kam luajtur një rol të ndërmjetësimit sepse kështu në atë kohë ishte ligji i pagave dhe ishte koeficienti për mësimdhënës. Ishin përpjekje serioze për të dal nga kjo situatë dhe në fund është arritur një marrëveshje”, vijojë Bytyqi.
Greva në arsim dhe administratën publike ka filluar nga data 25 gusht pasi kanë një varg kërkesash drejtuar Qeverisë të cilat nuk janë realizuar akoma./IndeksOnline/.