Komuna e Dragashit “lëshon” dorën, stafit të Kuvendit ia paguan udhëtimin prej mbi 14 mijë eurosh për në Dubrovnik

Kuvendi i Komunës së Dragashit aprovoi me 28 qershor kërkesën për të ndarë 15 mijë euro për vizitë studimore të delegatëve dhe stafit të Kuvendit, në Dubrovnik të Kroacisë.
Mjetet në fjalë janë marrë nga pozicioni buxhetor i mallrave dhe shërbimeve të Komunës.

“Kuvendi i Komunës së Dragashit, pas shqyrtimit paraprak, në seancën e VIII-të të Kuvendit të Komunës të mbajtur më datë 28.06.2022, ka vendosur për vizitë studimore në Republikën e Kroacisë, me qëllim të shkëmbimit të përvojave në qeverisje dhe bashkëpunimit në të gjitha lëmitë…” thuhet në arsyetimin e vendimit të Kuvendit Komunal.
Por sa ka buxhet vjetor Dragashi për të mbuluar këto shpenzime?
Buxheti i Komunës për vitin 2022 arrin shumën prej 9,971,590.20 euro.
51.78% apo 4,830,820.99 euro prej tyre janë të ndara për paga dhe meditje.
Indeksonline raporton se vetëm 1,063,000.00 euro, Komuna i ka të rezervuara për kategorinë e mallrave dhe shërbimeve.
Nga këto të holla, Komuna e Dragashit ka llogaritur 14 mijë e 500 euro për t’i shpenzuar në Dubrovnik.

Në këtë “ekspeditë” prej 4 netë e 5 ditësh, janë të përfshira faturat e transportit, akomodimi i “ekuipazhit” prej 25 personash në hotel me 4 ose 5 yje, shpenzimet për viza, sigurimi shëndetësor, e kështu me radhë.

Shërbimet e lartpërmendura, delegacioni nga Dragashi do t’i marrë me paratë e kategorisë së mallrave dhe shërbimeve pasi, sipas Komunës, nuk ka buxhet të mjaftueshëm në kategoritë e tjera, për të ndarë për këtë vizitë./Indeksonline/