75 Mall Live Search
20:14 / E Shtunë, 17 Shtator 2022 / MSH

Policia jep detaje për therjen e tre policëve në Prizren

Sot rreth orës 16:30, policia ka pranuar informatë se një person në lagjën “Dardania” në Prizren ka sjellje agresive dhe është mbyllur ne dhomë me  një thikë ne dorë.

Familjaret janë frikësuar se i njëjti mund të lëndojë vetën apo dikë tjetër dhe kanë lajmëruar policinë.

“Patrulla policore e Stacionit Policor Prizren-Veri ka shkuar në vendin e ngjarjes, janë munduar të komunikojnë me të dyshuarin, por ai edhe më tej ka qenë agresiv dhe nuk i ka përfillur urdhrat e policisë e as të familjarëve” thuhet në deklaratën e policisë.

Pasi që dyshohet se personi ishte nën ndikimin e narkotikeve, është kërkuar që në vendin e ngjarjes të asistojë një patrullë e Njësisë së Reagimit të Shpejt dhe autoambulanca.

I dyshuari ka sulmuar me thikë zyrtarët policorë të Njësisë së Reagimit të Shpejt, gjatë tentimit për ta vënë nën kontroll.

Në këtë rast, tre zyrtarë policorë kanë marrë lëndime trupore me thikë, por  janë jashtë rrezikut për jetë, të lënduar kryesisht në duar dhe krahë.

Njëri nga policët u dërgua në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm, njëri u ndal në Spitalin Rajonal në Prizren, dhe njëri u lirua për trajtim në shtëpi.

I dyshuari , mashkull, 37 vjeçar është arrestuar, ndërsa thika është sekuestruar.

Të gjitha njësitë përgjegjëse kanë dalë në vendngjarje, përshirë edhe Njësinë Kundër Trafikimit me Narkotikë.

Me urdhër të Prokurorit Kujdestar, i dyshuari ndalet për 48 orë.

Rasti mbetet nën hetime në Njësinë Rajonale të Hetimeve në Prizren.