Ballkani i fortë për skuadrat e Superligës, fiton bindshëm ndaj Ferizajit

Ballkani i është rikthyer fitoreve pas humbjes nga Drita në Superligë dhe Slavia Prahas në kuadër të Confernece League.
Kampioni i Kosovës, sot fitoi me rezultat 3-0 në udhëtim te skuadra e Ferizajit, ndeshje kjo e vlefshme për javën e tetë të AlbiMall Superligës së Kosovës, shkruan IndeksOnline.
Serinë e golave për skuadrën nga Suhareka e nisi sulmuesi Albion Rrahmani në minutën e 43-të.
Ballkani dyfishoi rezultatin në minutën e 68-të me anë të Leotrim Bekteshit.
Golit e sigurisë për skuadrën e Ilir Dajës e shënoi Meriton Korenica në minutën e 76-të.
Ballkani është skuadra e vetme në Kosovë e cila e ka zhvilluar vetëm gjysmën e ndeshjeve në Superligë, pasi ishte i angazhuar në garat evropiane dhe FFK-ja, i ka shtyer ndeshjet për një afat të pacaktuar deri më tani.
Me katër ndeshje të zhvilluara deri më tani, Ballkani ka shënuar tre fitore dhe një humbje dhe aktualisht ndodhet në pozitën e gjashtë me 9 pikë.
Në anën tjetër, skuadra e Ferizajit, pas shtatë ndeshjeve të zhvilluara ka grumbulluar 7 pikë dhe renditet në pozitën e tetë në tabelë./IndeksOnline/