Iniciativa e Pacollit për të vizituar krerët e UÇK-së në Hagë, pse nuk e konfirmuan vizitën edhe ish-presidentet e Kosovës

Me iniciativën e ish presidentit të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli javën e ardhshme ish-presidentët dhe kryeministrat e Shqipërisë, bashkë me z.Pacolli do të vizitojnë liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Këshilltari i tij, Jetlir Zyberaj ka njoftuar se ftesa u ishte bërë edhe ish-presidentëve të Kosovës, të cilët për arsye të panjohura nuk e kanë konfirmuar vizitën e tyre.
“Ish presidentja Jahjaga ka injoruar totalisht secilën thirrje telefonike qoftë edhe thirrjen nepërmjet letrës”, ka thënë Zyberaj.
Qëllimi i kësaj vizite është solidarizimi me krerët e UÇK-së që janë të paraburgosur në Hagë dhe mbështetja e kauzës dhe luftës së drejtë të Kosovës për liri dhe pavarësi kundër Serbisë në vitet e 90-ta.
“Ka momente kur polarizimi nuk i ndihmon interesit kombëtar të vendit dhe ky është një prej tyre, por uniteti është përgjigja ndaj agresionit të Serbisë kundër historisë, të tashmes dhe të ardhmes së Kosovës”, ka thënë ai./IndeksOnline/