Ja kur do të kryhen pagesat e komisionerëve të angazhuar gjatë zgjedhjeve?
Në zgjedhjet lokale në Kosovë të organizuara me 22 tetor dhe 19 nëntor kanë qenë të angazhuar rreth 25 mijë persona duke përfshirë këtu edhe komisionerët. Por tash e sa kohë ka ankesa rreth mos pagesës së kontributit të tyre në zgjedhje.
Indeksonline po vazhdon që të pranoj mesazhe nga persona që pohojnë se nuk janë paguar për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet lokale.
Kurse Indeksonline ka kontaktuar me Ministrinë e Financave, përkatësisht zyrtarin për informim të këtij dikasteri, Muharrem Shahini i cili ka pohuar se janë ekzekutuar pagesat në bazë të listave të cilat i kanë pranuar nga KQZ.
“Lidhur me çështjen e pagesave nga KQZ për komisionarët e angazhuar në zgjedhjet lokale, Thesari ka ekzekutuar pagesat për komisionarët e angazhuar në zgjedhje sipas listave me të dhënat e dërguara nga KQZ, në një proces gradual disa ditor” ,ka thënë ai.
Kurse sa i përket gabimeve në lista për të cilat është raportuar pak kohë më parë nga Indeksonline, Shahini tha se ditën e djeshme janë ri-pranuar listat e reja me rreth 2 299 persona të cilat do të procedohen në bankë dhe do të kryhet pagesa.
“Me datë 11.12.2017 nga KQZ kemi pranuar edhe disa lista për ri-pagesa me 2,299 përfitues të cilat janë ekzekutuar më herët nga Thesari por për shkak te gabimeve në të dhëna, kryesisht në llogaritë bankare janë kthyer nga bankat komerciale. Këto pagesa Thesari do të procedojë në bankë ne një afat optimal”, përfundoj Shahini.
Ndryshe, zgjedhjet lokale në Kosovë janë mbajtur në dy raunde, fillimisht me 22 tetor për t’u ripërsëritur me rastin e shkuarjes në balotazh me 19 nëntor./Indeksonline/