E konfirmon Arteta: Jesus në dyshim për ndeshjen kundër Leeds

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta e ka pranuar se sulmuesi Gabriel Jesus mund të humbasë ndeshjen e ardhshme të “Topçinjve” kundër Leeds United, pasi braziliani po vazhdon të rikuperohet nga dëmtimi që pësoi fundjavën e kaluar.
Jesus, i cili ka shënuar pesë gola deri më tani këtë sezon, pësoi një goditje në kokë pas një përplasjeje me Virgil van Dijk në fitoren 3:2 të Arsenalit ndaj Liverpoolit, dhe u detyrua të humbasë fitoren 1”0 të skuadrës së tij në Ligën e Evropës kundër Bodo/Glimt në mesjavë, raporton KosovaPress.
Tani duket se Arteta mund të detyrohet të presë edhe më shumë përpara se të llogarisë sërish në 25-vjeçarin, me Jesusin që tani është në dyshim të madh për ndeshjen e së dielës në “Elland Road”.
Duke folur në konferencën e tij për shtyp para ndeshjes, Arteta tha: “Nuk e di, padyshim që ai ka disa shqetësime pas ndeshjes kundër Liverpool”.
“Kjo është arsyeja pse ne vendosëm të mos e sjellim atë në Norvegji, kështu që le të shohim se si është ai nesër”, shtoi më tej Arteta.
Jesus iu bashkua Arsenalit nga Manchester City këtë verë dhe ka qenë një transferim i qëlluar në “Emirates”, duke ringjallur sulmin e Artetas.
“Topçinjtë” kanë fituar tetë nga nëntë ndeshjet e tyre të para në Premier Ligë dhe aktualisht janë në krye të tabelës, përpara kampionit në fuqi, Manchester Cityt.