75 Mall Live Search
20:23 / E Hënë, 17 Tetor 2022 / LB

Video/ Haxhiu flet për tërheqjen e mjeteve nga Trusti dhe zgjedhjet e brendshme të PDK-së

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu në një intervistë për IndeksOnline foli për Trustin i cili do të procedohet në kuvend javën e ardhshme, fillimisht në komision pastaj në seancë për lexim të parë.

Haxhiu akuzon qeverinë për mos përfshirje në këtë iniciativë, si dhe theksoi se Qeveria ka kohë deri të premten të jep mendimin e saj.

“Tani ka 3 javë që projektligji nga kryesia e kuvendit është dërguar në Qeveri për mendim deri të premten ka kohë qeveria që të jap mendimin e saj për projektligjin, me apo pa mendimin e qeverisë projektligji nga java e ardhshme vjen në kuvend për trajtim në procedura parlamentare. Fillimisht do të shkojë në komisionin për të drejtat e njeriut dhe peticione dhe pastaj do të kthehet në seancë të kuvendit për lexim të parë. Qeveria do të duhej të ishte më pro aktive sa i përket kësaj iniciative tonë nga qytetarët me 21.300 nënshkrime, pra është një projektligj i cili ka marrë mbështetjen e madhe qytetare, ku qytetarët për 8 ditë kanë grumbulluar më shumë se 21 mijë nënshkrime dhe kanë prodhuar në kuvend. KQZ-ja i ka verifikuar nënshkrimet dhe projektligji tani më i plotëson të gjitha kushtet procedurale dhe ligjore për t’u trajtuar në seancë të kuvendit vetëm është pritur edhe mendimi i qeverisë. Qeveria do të duhej të ishte më pro aktive që mos të jepte mendimin në ditën e fundit”, ka deklaruar Haxhiu.

Deputeti i PDK-së deklaroi se Trusti për 7 muaj ka humbur një vlerë prej 161 milionë euro pasi qeveria ka tërhequr 500 milionë investime të tyre. Si dhe theksoi se është në dëm të interesit të taksapaguesve.

“Koha ka treguar që qëndrimi i qeverisë para kësaj radhe ishte i gabuar, sepse kriza është e madhe dhe trusti për 7 muaj ka humbur 161 milionë euro, ndërsa sipas raportimit të fundit dhe anëtareve të bordit të trustit ka rezultuar që ata kanë tërhequr 500 milionë të investimeve të tyre dhe kjo ka treguar një pasiguri të vetë trustit por edhe një dëme të interesit të taksapaguesve tanë dhe atyre që kanë kursime në trust, sepse duke ditur që inflacioni është 19.2% dhe të tërheqësh 500 milionë euro nga trusti dhe t’i mbash të bllokuar, mos t’ia shpërndash qytetarëve të tyre është humbje e madhe, humbje e dyfishtë është përshkak të vlerësimit të parasë dhe pamundësisë që qytetarët të shfrytëzojnë paratë e tyre”, theksoi Haxhiu.

Haxhiu bëri të ditur se qeverisë i është ofruar tërheqja 30% e Trustit, pastaj të punojnë në reformën pensione së bashku.

Ai tha se Kosovës i përshtatet modeli “gjenerata të paguan gjeneratën”, pasi rezulton që Kosova ka një popullatë të re.

“Trusti janë kursime individuale të cilat ruhen në një llogari bankare këtë rast të trustit, nuk është fond pensionale i mirëfilltë, ne i kemi ofruar që fillimisht të mbështeten qytetarët me tërheqjen e 30% të trustit dhe të punojmë bashkë në reformën pensionale, sepse tani janë pjekë kushtet që të kemi fond pensional të Kosovës i cili do të ishte i garantuar me modelin që gjenerata të paguan për gjeneratën. Dhe ju si gazetare që kur te dilni në pension bazuar në kontributin tuaj që keni bëre të merrni pensionin bazuar në pagën të cilin e keni pas. Ky është model i cili i përshtatet Kosovës sepse ne kemi një popullatë të re pasi vetëm mbi 5% e qytetarëve janë mbi moshën 65-vjecare. Kjo duhet të ndodhi më një reformë të sisteme pensionale e cila edhe ishte premtuar sa ishte vetëvendosje në opozitë, mirëpo që tani nuk po i përmbahet atyre premtimeve ”, vijoi Deputeti Haxhiu.

Deputeti Bekim Haxhiu, foli edhe për zgjedhjet e brendshme në Partinë Demokratikë të Kosovës, ku theksoi se pritet të fillojnë në fillim të muajit dhjetor.

“Realisht tashme veç sa është hapur konventa e rinisë dhe tash do të duhet të fillonin përgatitjet për zgjedhjet e brendshme në PDK-në, këto zgjedhje do të duhet të fillonin rreth muajit dhjetor për shkak se disa kryetarë të degëve e kanë mandatin deri në janar dhe të tjerët deri në mars, që të ruhet mandati i tyre zgjedhjet do duhej të fillonin në dhjetor prej çdo nëndege, degë e deri në nivelin qendror dhe të përmbyllen në vitin e ardhshëm me zgjedhjen e kryetarit të ri të PDK-së”, bëri të ditur Haxhiu.

Sipas tij pas zgjedhjeve të brendshme në PDK, synojnë edhe zgjedhjet e jashtme si partia më e madhe opozitare.

“Është herët që të diskutojmë në këtë nivel sepse do të duhej të bëheshin zgjedhjet nëpër nëndegë dhe degët, pastaj të vijmë deri të emrat konkret të atyre që kanë ambicie të vazhdojnë rrugëtimin e PDK-së, si parti më e madhe opozitare dhe normalisht kur je partia më e madhe opozitare, synimi dhe qëllimi duhet të jetë që në zgjedhjet e ardhshme të jesh partia fituese dhe ky potencial dhe kjo energji, organizmi i PDK-së ka nevojë që fillimisht të ndodhi përmes organizimit të brendshëm zgjedhor ku ka reformat e mirëfillta”, tha ai./IndeksOnline/