Eksperti financiar thotë se ish-shefi i kontabilitetit kishte përvetësuar mbi 270 mijë euro nga kompanitë ku punonte

Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, të martën është dëgjuar eksperti financiar Naser Rusinovci, i cili deklaroi se shuma e parave të përvetësuara nuk është shënuar në regjistrin e kompanive, “Auto Moto Remont” dhe “Auto Moto Drushtov”, në rastin ku ish-shefi i kontabilitetit të këtyre kompanive, Srboljub Dimitrijeviq, po akuzohet se ka përvetësuar mbi 270 mijë euro.
Eksperti Rusinovci tha se shuma totale e përvetësuar për të dy kompanitë është 273 mijë e 107 euro e 39 cent.
Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Mentor Hajraj konstatoi se kjo çështje penale fillon rishtazi pasi kanë kaluar më shumë se tre muaj nga shqyrtimi i fundit gjyqësor, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, të pranishëm në seancën e së martës ishin prokurori Njazi Rexha, i akuzuari Srboljub Dimitrijeviq me mbrojtësin e tij, avokatin Nebojsha Vllahiq, i autorizuari i palës së dëmtuar, avokati Miodrag Brkljaq, si dhe eksperti financiar Naser Rusinovci.
Të gjitha palët u pajtuan që aktakuza të konsiderohet e lexuar, të qëndrojnë pranë fjalëve hyrëse, si dhe të lexohen deklarimet e pesë dëshmitarëve dhe ekspertit financiar Naser Rusinovci, nga shqyrtimet e kaluara gjyqësore.
Duke u përgjigjur në pyetjen e të autorizuarit të palës së dëmtuar, avokatit Miodrag Brkljaq, eksperti financiar Rusinovci deklaroi se nga dy kontot në të cilat është bërë analiza e të cilat janë aplikuar nga zyra e kontabilitetit, do të duhej të kishin qenë shuma të barabarta, pasi që aq sa është obligimi për paga, aq është edhe shpenzimi i pagave.
Ndërsa, tha se ekspertiza financiare është kryer për kompaninë “Auto Moto Drushtvo” për vitet 2005-2011, ndërsa për kompaninë “Auto Moto Remont” për vitet 2011-2015.
“Diferenca vetëm për vitin 2005, është 2 milionë e 699 mijë e 102 dinarë, pastaj më është dashtë të vlerësoj dokumentet dhe të konstatoj se a është përvetësuar kjo shumë. Atëherë kam gjetë laramani në dokumente, ku nga pazari ditor është kompensuar një pjesë e shpenzimeve të pagave, një pjesë nga paratë e tërhequra prej bankave dhe kom konstautar se në këtë mënyrë zyra e kontabilitetit, përkatësisht personi përgjegjës për kontabilitet, ka aplikuar këtë standard për çdo muaj dhe vit”, ka deklaruar eksperti financiar Rusinovci.
Eksperti Rusinovci deklaroi se nga raportet e bankave në të cilat subjektet e dëmtuara i kanë pasur xhirollogaritë, paratë e tërhequra janë përvetësuar nga arkatari, në momentin që nuk janë regjistruar në evidencat e kontabilitetit, apo nuk janë paraqitur mungesat e tyre.
“Një dukuri që është konstatuar nga pala e dëmtuar, të cilët kanë angazhuar një komision përgjegjës, kanë konstatuar se në dëftesa të të hyrave, përkatësisht pazarit ditor, të cilat i kanë lidhur në këtë formë, për një ditë të caktuar kur i kanë mbledhë të gjitha, shuma ka qenë më e madhe se sa që është regjistruar në librin e arkës dhe të gjithë këtë grumbull të këtyre dëftesave për secilën ditë e kanë llogaritë dhe kanë konstatuar se ka mospërputhje me ditarin e arkës”, ka shtuar eksperti.
Ai shtoi se edhe në pjesën e huazimeve të mjeteve ndaj personave të tretë nga kompanitë, në regjistrimet e veturave dhe pagesat e faturave, është gjetur shuma prej 366 mijë e 977 dinarë, që mund të merret si dëshmi që këto para janë përvetësuar.
“Me aprovimin e drejtorit, një numër i caktuar i personave i kanë regjistruar automjetet e tyre tek kompania në fjalë dhe përveç që i kanë kryer shërbimet e ofruara nga subjekti, këta persona kanë nënshkruar që ta kryejnë kontrollin teknik të automjetit të tyre, pastaj kanë huazuar mjete monetare, për të kryer shërbime tjera rreth regjistrimit të automjetit dhe ato mjete i kanë huazuar për një periudhë të caktuar”, deklaroi eksperti Rusinovci.
Ai tha se drejtori i kompanive ia ka pranuar faktin se këta persona i kanë kthyer mjetet e huazuara, pasi kishte thënë se këtë e ka dëshmuar nga punëtorët përgjegjës të kompanisë.
“Unë kam ardhur në përfundim se huazimet e kthyera janë paguar, por në arkë nuk kanë figuruar asnjëherë”, konstatoi eksperti.
Eksperti Rusinovci deklaroi se shuma totale e përvetësuar për të dy kompanitë është 273 mijë e 107 euro e 39 centë.
Tutje, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Dimitrijeviq, avokatit Nebojsha Vllahiq, eksperti deklaroi se kontrollimin e qarkullimit bankar të cilin e ka pasur në dispozicion, për kontroll i ka ndarë vetëm tërheqjet nga banka të cilat është dashur të futen në arkë, e të cilat nuk janë regjistruar nga arka.
“Ato tërheqje që janë bërë nga banka me çek, nënshkrimi dukej i dyshimtë, që vërehet edhe prej një personi që nuk është i specializuar në këtë fushë”, ka shtuar eksperti.
Avokati Vllahiq pyeti ekspertin se si mundet qarkullimi bankar për 11 vite, të inkorporohet në të dhëna vetëm në tetë faqe, siç shihet nga shkresat e dorëzuara në gjykatë.
Në lidhje me këtë pyetje, prokurori i rastit Njazi Rexha tha se eksperti u përgjigj shumë qartë, kur tha se i ka nxjerrë vetëm ato të dhëna të cilat nuk janë regjistruar nga arka.
Tutje, trupi gjykues ndaloi parashtrimin e pyetjes nga mbrojtja, me arsyetimin se eksperti paraprakisht është përgjigjur duke thënë se i ka pasur në vështrim të gjitha dokumentet, mirëpo i ka nxjerrë vetëm ato të dhëna të cilat nuk kanë qenë të regjistruara në arkë.
Avokati Vllahiq e pyeti nëse për nevojat e ekspertizës kishte shkuar personalisht në bankën “Jugobanka”, kurse eksperti tha se ajo bankë nuk është e licensuar nga BQK-ja dhe vështirë se do t’i kishte ofruar shërbime me një urdhëresë nga një prokurori e Republikës së Kosovës.
Tutje, pas administrimit të provave materiale, i akuzuari Dimitrijeviq ka zgjedhur të mbrohet në heshtje lidhur me akuzën për përvetësim të mbi 270 mijë eurove.
Mbrojtësi i të akuzuarit Dimitrijeviq, avokati Vllahiq kërkoi nga trupi gjykues që seanca e sotme të shtyhet, pasi i duhet kohë për të përgatitur fjalën përfundimtare.
Pasi palët e tjera nuk e kundërshtuan këtë propozim, seanca e sotme u ndërpre, ndërsa e radhës u caktua për 3 nëntor 2022.
Gjykata Themelore në Mitrovicë, më 9 mars 2020, e kishte shpallur fajtor Srboljub Dimitrijeviq për veprën penale të përvetësimit në detyrë. Të njëjtin, gjykata e shkallës së parë e ka dënuar me 3 vjet e 6 muaj burg dhe 1 mijë euro gjobë. Po ashtu, ai ishte obliguar që brenda 30 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit, të kompensojë të dëmtuarin në shumën prej 273 mijë e 107 euro e 39 centë.
I pakënaqur me këtë aktgjykim, Dimitrijeviq, përmes mbrojtësit të tij, avokatit Kapllan Baruti, është ankuar në Gjykatën e Apelit.
Sipas ankesës së avokatit tashmë të ndjerë, Kapllan Baruti, të cilën e referoi gjyqtari raportues për këtë rast, Driton Muharremi, aktgjykimi i shkallës së parë është atakuar për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave procedurale dhe se aktgjykimi nuk është përpiluar sipas dispozitave ligjore të parapara në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovë.
Gjykata e Apelit, në seancën e kolegjit të mbajtur më 18 mars 2021, me miratimin e ankesës së mbrojtjes së të akuzuarit Srboljub Dimitrijeviq, avokatit Kapllan Baruti dhe Nebojsha Vllajiq, kishte prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë P. nr. 51/2019, duke e kthyer çështjen në rivendosje.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 26 mars 2019, Srboljub Dimitrijeviq, po akuzohet se në periudhën kohore 1 janar 2005 e deri më 31 dhjetor 2015, në cilësinë e shefit të kontabilitetit në “Auto moto drushtvo” dhe “Auto moto Remont” në Mitrovicë, e cila është regjistruar së pari te UNMIK-u, e pastaj edhe të Agjencia e Kosovës për Regjistrimin e Bizneseve “Auto moto drushtvo” Mitrovicë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore ka përvetësuar të hollat që i janë besuar në bazë të detyrës.
Bazuar në aktakuzë, rasti ka ndodhur në atë mënyrë që duke mos regjistruar në evidencat e kontabilitetit kthimin e akontacioneve (paradhënieve të punëtoreve), duke tërhequr para kesh nga banka dhe të njëjtat nuk janë regjistruar fare në evidencën e kontabilitetit, duke mos dorëzuar pazarin ditor në llogarinë bankare të kompanisë, e duke mos i regjistruar në evidencat e kontabilitetit paratë e kthyera nga personat që kishin huazuar para nga kompania, ka përvetësuar të holla në shumë prej 273 mijë e 107 euro e 39 centë.
Me këtë, organi i akuzës e ngarkon me veprën penale “Përvetësimi në detyrë”, nga neni 425, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.