Hoti: Qeveria Kurti nxorri nga qarkullimi ekonomik rreth 500 milionë euro

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar sot dhe ka akuzuar Qeverinë Kurti se duke mos vepruar ka nxjerrë nga qarkullimi ekonomik rreth 500 milionë euro.
Hoti thotë se kjo vërtetohet nga të gjeturat e Komisionit Evropian për tremujorin e tretë të këtij viti.
Sipas tij, kjo gjë ka mundur të evitohet përmes marrjes së dy masave.
“Nëse do të mbaheshin shpenzimet kapitale të Qeverisë së paku si në vitet e mëparshme, e jo të uleshin me 30% apo me rreth 200 milionë euro, do të shtohej aktiviteti ekonomik, që do të rezultonte me normë më të lartë të rritjes ekonomike, më shumë vende pune, më shumë të ardhura për familjet dhe fitime për bizneset, si dhe më shumë tatime për shtetin.
Dhe nëse Qeveria do të ulte TVSH-në dhe akcizën në disa mallra (në naftë në veçanti), atëherë sot do të kishim rreth 300 milionë euro më shumë në qarkullim në ekonomi, në llogaritë bankare të qytetarëve dhe bizneseve”, ka shkruar Hoti në llogarin e tij në Facebook./IndeksOnline/