75 Mall Live Search
09:50 / E Mërkurë, 26 Tetor 2022 / k.v

Ngjarja që tronditi Podujevën, i dyshuari që iku me ‘Golf II’ ende në arrati (Foto)

Pasditen e së martës, Podujeva ishte tronditur nga të shtënat me armë zjarri, ku tre persona kishin mbetur të lënduar, një me armë zjarri e dy të tjerë nga xhamat e thyer. Të lënduarit janë dërguar në Emergjencën e QKUK-së dhe sipas mjekëve gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Kosovës ka arrestuar dy të dyshuar ndërsa dy të tjerë janë ende në arrati. Ngjarjes i ka parapritë një seancë gjyqësore e mbajtur për një vepër penale të mëparshme ku janë të përfshira dy familje.

IndeksOnline dje ka raportuar në kohë reale për këtë ngjarje ku lexuesit kanë dërguar edhe pamje të veturës ‘Golf II’, ngjyrë e kuqe, duke ikur me shpejtësi nga vendi i krimit.

Policia ka identifikuar personin që ka ikur me veturë dhe është në kërkim të tij.

Policia sot nëpërmjet raportit 24 orësh ka dhënë disa detaje përkitazi me rastin.

“Një përleshje ka ndodhur në mes të dy familjeve ku ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri lëndime trupore ka pësuar i dyshuari mashkull kosovar i cili vazhdon trajtimin mjekësor në QKUK, pastaj si pasojë e xhamave të thyer lëndime kanë pësuar edhe dy kalimtarë të rastit, viktimat meshkuj kosovar të cilëve iu është ofruar tretman mjekësor e më pas janë liruar për në shtëpi”, thuhet në raportin e policisë.

Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, kanë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovar, ndërsa edhe dy të dyshuar janë në arrati.

Me vendim të prokurorit të dyshuarve iu caktohet masa e ndalimit, njëri i dyshuar është dërguar në qendrën e mbajtjes ndërsa tjetri vazhdon trajtimin në QKUK nën sigurimin e policisë.

Rasti vazhdon të hetohet nga njësitet kompetente policore./IndeksOnline/