Irani planifikon ta sulmojë Arabinë Saudite dhe trupat amerikane në Irak

Irani po planifikon që të godasë trupat amerikane në Irak dhe Arabinë Saudite, pas tensioneve që kanë përfshi Iranin si pasojë e protestave antiqeveritare brenda vendit.
AA shkruan se sipas burimeve të inteligjencës, zyrtarët e SHBA-së dhe Arabisë Saudite janë në gatishmëri të lartë pasi mësuan për një sulm të afërt ndaj mbretërisë nga Irani.
Wall Street Journal raportoi se zyrtarët nga të dy vendet kanë ndarë shqetësimet për kërcënimin e afërt të Iranit, i cili përfshin informacione se Teherani po kërkon gjithashtu të godasë trupat amerikane në Erbil, si një shpërqendrim nga protestat që po ndodhin kundër udhëheqjes së Iranit.
“Ne jemi të shqetësuar për kërcënimin dhe mbetemi në kontakt të vazhdueshëm përmes kanaleve ushtarake dhe inteligjente me sauditët. Ne nuk do të hezitojmë të veprojmë në mbrojtje të interesave dhe partnerëve tanë në rajon”, tha Këshilli i Sigurisë Kombëtare në një deklaratë.
Irani ka kryer tashmë disa sulme në Irakun verior, ku trupat amerikane janë vendosur që nga fundi i shtatorit.
Niveli i kërcënimit urgjent e ka vënë ushtrinë amerikane dhe forcat e tjera aleate në Lindjen e Mesme në një gjendje gatishmërie të ngritur.
“Ne do të rezervojmë të drejtën për të mbrojtur veten, pavarësisht se ku shërbejnë forcat tona, qoftë në Irak apo gjetkë”, tha zëdhënësi i Pentagonit, gjeneral Pat Ryder.
Teherani ka fajësuar publikisht ato që i quan grupet separatiste kurde iraniane, për kryerjen e sulmeve dhe ka akuzuar Arabinë Saudite, Izraelin dhe SHBA-në për nxitjen e demonstratave kundër qeverisë iraniane përmes mbulimit të lajmeve në rajon.
Irani ka paralajmëruar Arabinë Saudite që të mos mbulojë protestat në stacionet e lajmeve Farsi.
“Ky është paralajmërimi ynë i fundit, sepse përmes këtyre mediave po ndërhyni në punët tona të brendshme. Ju jeni përfshirë në këtë çështje dhe e dini që jeni të pambrojtur”, tha gjeneral Hossein Salami.