75 Mall Live Search
21:08 / E Premte, 04 Nëntor 2022 / MSH

Haxhiu për Deharin: Rrethanat e vrasjes së Astritit mbesin padrejtësisht enigmë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se nesër bëhen 6 vite që nga vdekja e Astrit Deharit.

Ajo ka thënë se “rrethanat e vrasjes së Astritit mbesin padrejtësisht enigmë”.

“Janë të domosdoshme veprimet për zbardhjen sa më të shpejtë të rrethanave të vrasjes së Astritit, hetim i gjithanshëm që shoqërohet me efikasitet dhe rezultate që shfaqin të vërtetën, në bazë të provave dhe fakteve të pakonstestueshme të cilat janë në duart e organeve të ndjekjes” ka deklaruar Haxhiu.

Sipas saj, Rasti Dehari nuk mund të zbardhet me pasivitet prokurorial.

Ministrja e Drejtësisë ka treguar gjithashtu mbi veprimet që ka ndërmarrë Ministria, pas inspektimit.

Ky është postimi i plotë i Haxhiut:

Nesër bëhen 6 vite pa Astritin

Rrethanat e vrasjes së Astritit mbesin padrejtësisht enigmë, për shkak të mos veprimit të Prokurorisë.

Janë të domosdoshme veprimet për zbardhjen sa më të shpejtë të rrethanave të vrasjes së Astritit, hetim i gjithanshëm që shoqërohet me efikasitet dhe rezultate që shfaqin të vërtetën, në bazë të provave dhe fakteve të pakonstestueshme të cilat janë në duart e organeve të ndjekjes.

Neglizhenca e Prokurorisë po e vonon drejtësinë.

Brenda kompetencave të përcaktuara ligjore, si Ministri e Drejtësisë kemi kërkuar inspektim për rrethanat e rastit Dehari, me ç’rast pas gjetjeve të Raportit kanë rezultuar me pezullim personat: Ylber Topalli (ish-Kryeinspektor i ShKK-së); Destan Zogaj (ish-u.d. Drejtor i Qendrës së Paraburgimit në Prizren) dhe Burim Buleshkaj (ish-u.d. Drejtor për Siguri, Operativë dhe Transport të të Burgosurve në ShKK). Për më tepër, shkeljet e rënda e të shumta procedurale i kemi dërguar te Prokurori i lëndës, por nuk kemi asnjë informacion për epilogun e tyre, në kuptim të ndihmës për ecurinë e rastit.

Rasti Dehari nuk mund të zbardhet me pasivitet prokurorial.

Zbulimi i saktë i çdo prove, përveç që vë drejtësinë për Astritin, dëshmon botërisht për fitoren e drejtësisë ndaj manipulimeve sistemike që rrodhën që në orët e para pas vdekjes së tij.

Prokuroria duhet t’i vë në lëvizje të gjitha mekanizmat dhe instrumentet ligjore për ta përshpejtuar zgjidhjen e plotë të ngjarjes, me nxjerrjen e të gjithë përgjegjësve para drejtësisë.

Astriti ishte aktivisti politik i ngritur, i përgatitur për jetën, për veprimtarinë kombëtare e politike, për shtetin dhe shoqërinë.

Institucionet e shtetit duhet me doemos ta zbardhin rastin e tij, e shoqëria duhet ta kuptojë të vërtetën e plotë për Astritin.