75 Mall Live Search
21:00 / E Shtunë, 05 Nëntor 2022 / Gj. Sh

EULEX-i shihet pranë gjykatës dhe stacionit policor në veri të Mitrovicës

Ndryshe Mitrovica e Veriut ku edhe po mbahet e gjithë vëmendja e mediave dhe politikës, në komunat e tjera në këtë zonë, vazhdon puna e policisë, sikurse në Zveçan.

Siç njofton gazetari i RTK-së, Valon Bajrami, i cili ndodhet në veri të Mitrovicës, atje tashmë po duken edhe forca të EULEX-it.

Sipas tij, policia e EULEX-it është duke qëndruar pranë objekteve të stacionit policor në Mitrovicën e veriut si edhe tek Gjykata Themelore në këtë komunë.

Në anën tjetër, situata në përgjithësi është e qetë, ndonëse paksa e tensionuar, ku tashmë nuk vërehen as qytetarë në rrugë dhe as lëvizje të automjeteve.

Kjo pasi disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës nga komunitetit serb në pjesën veriore të vendit, sot i kanë zhveshur uniformat publikisht për t’iu bashkuar agjendës politike të Listës Serbe.

Kreu i kësaj liste, Goran Rakiq, tha se është marrë vendim që serbët t’i lëshojnë postet e larta publike nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës. Shkak është mospajtimi i tyre për targat.