75 Mall Live Search
20:36 / E Hënë, 07 Nëntor 2022 / LB

A mund të zëvendësohen deputetët e Listës Serbe me kandidatë jashtë këtij subjekti, flet Albert Krasniqi

Dhjetë deputetë të Listës serbe kanë dorëzuar edhe zyrtarisht mandatet e tyre në administratën e Kuvendit të Kosovës.

Por, cilat janë procedurat dhe kush mund t’i pasoj vendet e tyre në Kuvendin e Kosovës?

Albert Krasniqi, i cili ndër vite ka monitoruar punët e Kuvendit të Kosovës ka thënë se pas dorëheqjeve të deputetëve të Listës Serbe nga Kuvendi i Kosovës, kryetari i Kuvendit duhet t’i bëjë kërkesë me shkrim Presidentes për t’i plotësuar ulëset e zbrazëta.

Në këtë kërkesë duhet të ipen edhe shpjegimet pse janë liruar këto ulëse. Pas pranimit të kërkesës, Presidentja duhet të kërkojë nga KQZ-ja të rekomandojë emrat e personave të tjerë që i zëvendësojnë deputetët e dorëhequr. KQZ duhet që në aftin prej pesë ditë pune nga momenti i marrjes së kërkesës, t’ia ofrojë Presidentes emrat e radhës”, ka thënë Krasniqi.

Më tutje, Albert Krasniqi nga Demokracia Plus ka thënë se KQZ duhet që fillimisht t’ia ofrojë mandatet kandidatëve të radhës brenda listës së organizuar të kanidatëve të Listës Serbe që kanë numrin më të lartë të votave.

“Nëse mandatet nuk pranohen as nga kandidatët e tjerë të Listës Serbe, pastaj shkon kandidati i ardhshëm nga lista e kandidatëve të subjekteve tjera politike që kanë pasur koeficientin më të lartë dhe që janë deklaruar që përfaqësojnë interesat e komuniteti serb në zgjedhje”.

“Në rast se asnjë prej përfaqësuesve të komunitetit serb që kanë garuar në zgjedhje nuk pranojnë mandatet, këto pozita nuk mund të zëvendësohen me kandidatë të tjerë pasi janë të garantuara për serbët. Rrjedhimisht mbesin të zbrazëta dhe Kuvendit të Kosovës i humbet aftësia e ushtrimit të të gjitha kompetencave, siç është amendamentimi i Kushtetutës. Kushtetuta është e heshtur për rastet nëse përfaqësuesit që komuniteteve jo shumicë i refuzojnë mandatet për të cilat kanë garuar në zgjedhje”, ka përfunduar Krasniqi.

Kujtojmë se pas suspendimit të drejtorit rajonal të Policisë së Kosovës në Veri, serbët kanë vendosur t’i braktisin institucionet e Kosovës duke përfshirë dorëhqjet e katër kryetarëve të komunave në veri si dhe të policëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve.