Bulliqi: Kemi filluar realizimin e 50 për qind të projekteve të premtuara (Video)

Komuna e Podujevës ka arrit të fillojë realizimin e rreth 50 për qind të projekteve të premtuara gjatë fushatës parazgjedhore. Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se fal angazhimit të madh të ekipës së tij kanë arritur që të tejkalojë parashikimin e të hyrave të Komunës për 1.5 milion euro më shumë se projeksionet që i kanë pasur për këtë vit.
“Premtimet që i kemi bërë gjatë fushatës sonë zgjedhore, nga përafërsisht 61 premtime të cilat i kemi dhënë për qytetarët tanë në vitin e parë të qeverisjes sonë, kemi arrit ti fillojmë rreth 31 projekte të ndryshme”, tha Bulliqi, në një intervistë për “Indeksonline”.
Ai ka treguar se cilat projekte kanë filluar të realizohen, si ndërtimin e zonës industriale, ndërtimin e urgjencës së qytetit të Podujevës e cila kap vlerën mbi 1.6 milion euro.
“Pritet këto ditë shpejt fillimi i punimeve në ndërtimin e Stacionit të Autobusëve që po ashtu është projekt milionësh. Jemi në fazën e dytë të rregullimit të rrugës së Skënderbeu që po ashtu është një projekt që kalon vlerën milionëshe dhe po ec puna jashtëzakonisht mirë. “, tha Bulliqi.
Po ashtu ai tha se kanë ndërtuar edhe çerdhen publike e cila për 22 vite nga qeverisja e kaluar ka mbet e papërfunduar dhe se këto ditë pritet që të bëhet përurimin i objektit.
“I kemi edhe dy çerdhe tjera të cilat janë në fazën parapërgatitore për me mund me fillu. Tash këto ditë besoj që do ta prejm shiritin e ndërtimit të shkollës fillore në fshatin Ballovc dhe kemi filluar ndërtimin e objektit të shkollës fillore në fshatin Lluga dhe në fshatin Peran. “, tha Bulliqi.
Ai po ashtu tha se gjatë këtij viti buxheti i Komunës ka qenë rreth 24 milion euro, ndërsa vitin e ardhshëm parashihet të jetë më i lart përafërsisht për 4 milion euro.
“Diku 1.5 milion euro që do të thotë kemi të hyra vetanake më tepër se sa që kemi pasur të planifikuara”, tha ai.
Bulliqi po ashtu ka komentuar edhe incidentin i cili ditë më parë ka ndodhur mes dy asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Podujevës Artrit Mulliqi dhe Ragip Fetahu të cilët dyshohet se janë rrahur mes vete në oborrin e objektit të komunës. Ai tha se ishte një incident i momentit i cili është tejkaluar pa pasoja.
“Ka qenë një incident i momentit kur të dytë kanë qenë duke pirë kafe dhe një moment është tensionuar situata, lidhur me një problem i cili mund të mos jetë sqaruar mjaftueshëm dhe ka ndodh , ka ardhur deri te incidenti . Fatmirësisht është tejkalua pa një problem të madh , brenda ditës të dy ata asamblist tanë janë ul kemi diskutua dhe është zgjedh problemi. Do të thotë janë qartësuar gjerat edhe është tejkalua problemi. Sido qoftë neve na erdhi keq pse ndodhi diçka e tillë po ja që njerëz jemi dhe nganjëherë mund të ketë edhe keqkuptime për probleme prej ma të ndryshme . Prandaj unë besoj që është tejkalua ai problem edhe tashmë nuk ka asnjë telashe në kuptim të atij incidenti.”, tha Bulliqi./IndeksOnline/