Mbajtja e mësimit të shtunave, Ibrahimi: MASHT dhe komunat urgjentisht ta diskutojnë!

Është bërë rreth 1 muaj që kur SBAShK-u pezulloi grevën dhe iu rikthye mësimit. Gjatë mbajtjes së grevës nga SBAShK-u, MASHT, apelonte vazhdimisht se të gjitha orët e humbura duhet të zëvendësohen, mirëpo kjo gjë kundërshtohej nga përfaqësuesit grevistë.
Gjatë fillimit të mësimit, Ministria që drejtohet nga Arbërie Nagavci doli me një vendim ku ndryshoj kalendarin shkollor. Sipas këtij ndryshimi, të gjitha ditët e humbura do të zëvendësoheshin gjatë ditëve të shtuna.
Lidhur me këtë çështje, është deklaruar Sazan Ibrahimin, Kryetar i Asociacionit të Komunave.
‘’Në shumicën e shkollave nuk është mbajtur mësimi edhe pse komunat dhe shkollat kanë qenë të gatshme dhe të përgatitura për mësim, mirëpo kanë munguar nxënësit. Edhe aty ku është mbajtur mësimi ka pasur mungesë të nxënësve’’, ka thënë Ibrahimi për IndeksOnline.
Sipas tij kjo çështje duhet të trajtohet urgjentisht nga MASHT-i dhe komunat, pasi që po bëhen shpenzime, ndërsa edhe kërkesë nga komunat është që këto zëvendësime të bëhen gjatë ditëve të punës.
‘’Kjo çështje duhet të diskutohet dhe trajtohet urgjentisht në mes MAShTI dhe komunave sepse në këto raste komunat janë duke bërë shpenzime dhe për këtë çështje komunat kanë kërkuar që orët e humbura të kompensohen gjatë ditëve të punës kur objektet shkollore janë të ngrohura e jo të krijohen shpenzime shtesë dhe që mos të kemi vijueshmëri të nxënësve nëpër shkolla”, tha ai.
Po ashtu kërkesë e tij është që të mbahet një takim i përbashkët në mënyrë që të vlerësohet situata dhe të shikojnë se çfarë mund të bëhet në të ardhmen.
‘’Kërkojmë që të kemi një takim të përbashkët në mënyrë që të vlerësohet situata e tanishme dhe në bazë të këtyre vlerësimeve edhe të dilet me rekomandime se çfarë të bëhet në të ardhmen’’, tha Ibrahimi për IndeksOnline.
Me gjithë kërkesën e MAShT për zëvendësimin e orëve, SBAShK nuk është tërhequr plotësisht nga mundësia e mbajtjes së grevës përsëri në janar./IndeksOnline/