“Vizat për SHBA”, flet ministri Krasniqi

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Republikën e Kosovës, Elbert Krasniqi, në një intervistë për IndeksOnline, ka treguar si qëndron e vërteta e takimit të planifikuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Krasniqi ndër të tjera e quajti qesharake që i është lakuar emri për refuzim të vizitës për SHBA.
“Shumë qesharake, që të bëhen konstatime pa e bërë një konfirmim me secilin, në këtë rast edhe me mua, sidoqoftë e vërteta qëndron që ne kemi pasur të planifikuar një vizitë në Iowa me disa kryetarë të komunave. Në mes të Iowa-s, qyteteve të ndryshme të Iowa-s edhe qytetet e ndryshme të Kosovës ka një bashkëpunim të gjerë në disa qytete tona, janë mbi 7 qytete që kanë binjakëzime në qytetin e Iowa-s dhe jemi në proces të finalizimit të binjakëzimeve tjera dhe në këtë vizitë tonë të planifikuar dhe të shtyrë me kërkesën time, më mirëkuptimin dhe të organizatorëve ka qen ë e planifikuar të organizohet ky momentum, ku diskutohet për bashkëpunimin edhe për situatën aktuale politike, ku në Kosovë 4 kryetarë të komunave japin dorëheqje dhe ministri që është ministri i lindjes dhe ministër i komunave largohet për 3-4 ditë nga vendi besoj që ka qenë jo e arsyeshme të behët kjo vizitë dhe për këtë kërkova mirëkuptimin që të shtyhet në një momendum tjetër. Edhe kryetarët e komunave bashkë në delegacion që ishin, e mirëkuptuam dhe u dakorduam që kjo vizitë të realizohet në vitin tjetër”, ka thënë Ministri për IndeksOnline.
Ministri Krasniqi gjithashtu bëri të ditur emrat e kryetarëve të komunave që nuk udhëtuan drejt Amerikës.
“Ka qenë kryetari i komunës së Podujevës, dje i është lakuar edhe emri i tij, komunës së Junikut, Pejës, Gjakovës, Deçanit, Shtimes, Gjilanit edhe nënkryetarët e komunës se Prizrenit dhe Vushtrrisë. Këto janë komunat të cilat kanë binjakëzime apo janë në proces të binjakëzimeve”, theksoi Krasniqi.
Mes tjerash, Ministri vijoi se takimi është shtyrë më mirëkuptim deri në fillim të vitit të ardhshëm.
Ndërkohë, më herët MAPL-ja i dërgoi presidentes Osmani, edhe zyrtarisht, pranimin e dorëheqjeve të kryetarëve në komunat veriore.
IndeksOnline ka siguruar shkresën që ministria e udhëhequr nga Elbert Krasniqi i ka dërguar presidentes Osmani ku njoftohet për të ndarrë veprimet për shpalljen e zgjedhjeve lokale të jashtëzakonshmë në këto komuna.
