Nikolla dhe Konjufca: Kosova e Shqipëria, dy shtete demokratike me aspirata për BE

Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka thënë në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë, se kjo është një ditë e bukur dhe e paharrueshme.
“Sot kjo orë e shënuar rikonfirmon thirrjen shpirtërore “një komb, një qëndrim”, atë të vëllazërimit Shqipëri-Kosovë, në vigjilje të 28 nëntorit”, tha Nikolla.
“Dikur, edhe si ëndërr nuk mund të na shfaqej ky moment, nga pengesat e panumërta të historisë, që ekzistencën, territorin, gjuhën dhe identitetin na e vinin në diskutim”.
“Teksa ecën nëpër stinë e mote, shqiptarët e gjetën shekullin e tyre. Asnjëherë nuk i ikën nderit e privilegjit që iu dha emri shqiptar. U bë Shqipëri dhe Kosova, u bënë shqiptarët këndej e andej kufirit qytetarë të denjë të civilizim. Pa dallim feje, krahine dhe ideje, iu falën flamuri kombëtar”.
Nikolla tha se Shqipëria dhe Kosova sot janë dy shtete të pavarura, demokratike e të respektuara, me miq aleat të mëdhenj, SHBA-në dhe BE-në, me aspirata për në Bruksel.
Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se orientimi gjeostrategjik i kombit shqiptar është Bashkimi Evropian, NATO dhe miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Konjufca para deputetëve të kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë, tha se sa më afër janë Shqipëria dhe Kosova, aq më lehtë është të mbrohen aspiratat kombëtare.
“Orientimi ynë gjeo-strategjik kombëtar është në Bashkimin Evropian dhe brenda NATO-s dhe gjithnjë në miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai.
Kryeparlamentari nga Kosova adresoi akuza ndaj Serbisë, për siç tha synimin për destabilizim të Kosovës.
“Serbia na lufton nga brenda dhe nga jashtë pa zgjedhur mjete. Ajo synon destabilizimin e Kosovës”, shtoi Konjufca.
Në vigjilje të festës së 28 Nëntorit, Konjufca tha se gjithë heronjtë dhe veprimtarët që kanë rënë për çlirimin e Kosovës kanë pasur më zemër 28 Nëntorin.