75 Mall Live Search
12:51 / E Mërkurë, 30 Nëntor 2022 / LB

Abdixhiku pyet Kurtin në cilin Univers po jeton, thotë se në Bruksel e pranoi Asociacionin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku kritikuar kryeministrin Kurti për situatën e fundit në veri dhe për fajësinë që iu vë Kosovës nga partnerët ndërkombëtarë.

“Kur dëgjon justifikimet e Qeverisë të krijohet përshtypja se jeton në një univers paralel.” – nisi fjalën e tij Abdixhiku.

“Derisa po flasim këtu, mbi 17 për qind e territorit të Kosovës është pa polici, pa gjyqtarë… Sot nuk mund ta zgjidhim një dhunë familjare në veri, një aksident. Me çka mbahet shteti? Me fjalime prej Prishtinës?!” – vazhdoi më pas ai, duke treguar dëmet që i ishin shkaktuar shtetit nga politikat e Qeverisë Kurti.

Por, ai denoncoi Qeverinë Kurti se nuk po mbante as fjalët e saj, duke përmendur një fjalë specifikisht: Asociacionin.

“Pushteti na flet se si ka ndryshuar dialogu, sepse këta janë në qeveri… Më lejoni ta lexoj një fjalë të Borrellit: Palët e kuptojnë se të gjitha marrëveshjet duhet të zbatohen. Edhe Asociacioni. Pse jeni pajtuar që të pajtohet Asociacioni?” – u shpreh z. Abdixhiku, duke iu referuar deklaratës së lëshuar të Josep Borrellit pas arritjes së marrëveshjes për targa më 23 nëntor.

Abdixhiku kërkoi raportim nga kryeministri i Kosovës për dialogun me Serbinë në Kuvendin e Kosovës.

“Dialogu është në interes të Kosovës sepse kërkojmë marrëveshje finale,” – vazhdoi më tej ai.

“Herët apo vonë, të gjitha parullat partiake do të duken të papesha. Siç duken sot disa parulla (përmendi disa parulla të Vetëvendosjes). Kosova është dashur prej fillimit të binte në dy gracka bazike: të mos binte në grackën e destabilizimit dhe të mos merrte fajësinë nga aleatët tanë.” – vazhdoi fjalën e tij z. Abdixhiku.

“Por, Qeveria ka rënë në dy grackat: edhe destabilitet edhe fajësim!” – tha kreu i LDK-së.

“Duhet punë bukur e rëndë, që një Serbi të sotme ta vendosim nën hijen e fajësimeve për neve. Bukur vështirë është si proces,” .

Ai kërkoi aleancë më të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.

Abdixhiku u shpreh se Kosovës i duhej një marrëveshje finale, e jo një “e mesme apo e vogël”.

“Qeveria e Kosovës sot duhet t’i tregojë këtij Kuvendi se çfarë plani ka për të kthyer normalitetin administrativ në veri të vendit? Qeveria duhet t’ia qartësojë vetes dhe të gjithë neve, se çfarë po bën me procesin e dialogut në tërësi.” – përmbylli fjalën e tij Abdixhiku.