75 Mall Live Search
21:37 / E Mërkurë, 30 Nëntor 2022 / AR

RrGK nesër protestë në Prishtinë: “Gra dhe vajza, jemi të rrezikuara”

Rrjeti i Grave të Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se ditën e nesërme në ora 16:00, tek sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, do organizohet një protestë në shenjë revolte për vrasjen e një gruaje shtatzënë në oborrin e QKUK-së.

“Gra dhe vajza, jemi të rrezikuara!

Në gjumë, në përditshmëri, në institucione shëndetësore edhe edukative, hapësira publike  edhe hapësira private, në parqe, rrugë, brenda mureve të shtëpive tona…

Asnjë hapësirë nuk është më e sigurtë për ne!

Në nevojë emergjente për solidarizim me njëra-tjetren dhe njëri-tjetrin, për ngushëllim e manifestim të dhimbjes sonë kolektive, dhe në nevojë për të shprehur mllefin tonë ndaj kësaj dhune sistematike, ku gratë vriten nga burrat, vetëm për shkak që janë gra, ju ftojmë të na bashkangjiteni nesër, në protestë, prej orës 16:00 tek Sheshi Zahir Pajaziti, Prishtinë.

Brenda një jave, dy burra vranë dy gra. Nuk u vranë gratë! Burrat i vranë gratë! I vranë sepse institucionet i inkurajuan, me dënime të ulëta. I vranë sepse kultura e pandëshkueshmërisë, e forcon mendësinë patriarkale!

Prandaj, ftojmë të gjithë ata që bashkëndjejnë të na bashkohen nesër në revoltë!”, thuhet në komunikatë./Indeksonline/