75 Mall Live Search
15:34 / E Hënë, 05 Dhjetor 2022 / B O

ARKEP e gjobitë 10 mijë euro, operatorin mobil serb “mts” D.O.O

Autoriteti i Konkurrencës i Kosovës sot  përmes një njoftimi në Facebook ka bërë të ditur se kanë filluar hetimet ndaj Telekomit Mobil të Serbisë. Por ky nuk është rasti i parë që operatori mobil serb MTS D.O.O. ka has në probleme të zbatimit të ligjit. Edhe Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), e ka gjobitur kompaninë në fjalë me 10 mijë euro.

Në muajin e kaluar ARKEP, kishte nxjerrë vendim ndaj  ndërmarrjes “mts” D.O.O, ku i shqiptohet sanksioni ekonomik në shumë prej dhjetë mijë euro , për mos përmbushjen e detyrimeve rregullatorë për dërgimin e mesazheve të shkurta (SMS) për interes të publikut.

Në vendim thuhet “Obligohet ndërmarrja “mts” D.O.O., të paguaj sanksionin ekonomik të përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi në afat prej 30 ditës nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Ky është vendimi i ARKEP-it:

Ndryshe, sot Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës kanë filluar hetimet ndaj Telekomit Mobil të Serbisë.

“Njofton opinionin, se me datën 25.11.2022 Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës ka nxjerr Konkluzion për fillimin e procedurës kundër  ndërmarrjes MTS D.O.O. Autoriteti ka analizuar kushtet e tregut të konkurrencës, dhe duke vepruar sipas detyrës zyrtare, ka zhvilluar shqyrtimin paraprak të vlerësimit të përqendrimit, lidhur me dyshimin e arsyeshëm se ndërmarrja MTS D.O.O. (Telekomi Mobil i Serbisë), e cila operon në tregun përkatës, të ofrimit të shërbimeve të internetit dhe atë kabllor në territorin e Republikës së Kosovës, ka realizuar shitblerje të aksioneve në tregun përkatës, duke fituar kontrollin mbi ndërmarrjet tjera, për të cilat përmbushet detyrimi ligjor për njoftimin e përqendrimit sipas ligjit për mbrojtjen e konkurrencës”, thuhet në njoftimin e tyre.

Në njoftim kontrolli i bashkimeve synon të parandalojë shtrembërimet e konkurrencës dhe synon siç thanë ata, të parandalojë efektet antikonkurruese përpara se ato të ndodhin.

“Autoriteti njofton se, Transaksionet/blerjet nëse janë realizuar, pa e dorëzuar njoftimin e detyrueshëm për qëllimin e përqendrimit sipas Ligjit 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës, paraqet formë të kufizimit ose shtrembërimit të konkurrencës nga ndërmarrjet në territorin e Republikës së Kosovës ose jashtë  territorit, nëse veprimet e tyre kanë efekt në tregun e Republikës së Kosovës”.

“Autoriteti njofton se, Fillimi i procedurës për hetimin e çrregullimit të konkurrencës, ka për qëllim sqarimin e fakteve dhe në këtë mënyrë vërtetimin e shkeljes së pretenduar. AKRK do të marrë vendimin e saj meritor bazuar në faktet e vërtetuara të rastit dhe do të mbaj të informuar opinionin dhe qytetarët të cilët marrin shërbime nga ndërmarrja MTS D.O.O”, thuhet në njoftimin e tyre./Indeksonline/