75 Mall Live Search
22:10 / E Shtunë, 10 Dhjetor 2022 / MSH

Bajqinovci: Vuçiq po bindet se komunat veriore po i dalin nga kthetrat e bandave të kontrolluara nga ai

Deputeti Mefail Bajqinovci ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po bindet çdo ditë e më shumë se terreni në komunat veriore po i del nga kthetrat e bandave të kontrolluara nga ai.

Bajqinovci ka shtuar se ai po e provokon situatën politike dhe të sigurisë me kërkesa absurde ndaj NATO-s.

“Shteti i Kosovës, Qeveria dhe diplomacia jonë po vazhdojnë aktivitetin në drejtim të veprimeve intensive për forcimin e rendit dhe ligjit në terren dhe poashtu në drejtim të shkembimeve diplomatike me shtetet anëtare dhe vet NATO-në për të dekonstruktuar këtë politikë djallëzore të Serbisë e cila fjalët i ka properëndimit ndërsa sjelljet dhe aktivitetet pro Rusisë” ka shkruar Bajqinovci.

Ky është postimi i plotë i tij:

Vuçiq  po bindet për çdo ditë e më shumë se, terreni në komunat veriore po i del nga kthetrat e bandave të kontrolluara nga ai, vëllai i tij dhe të inkriminuarit e tjerë në kriminalitet e të shpallur non grata nga SHBA, po e vazhdojnë provokimin e situatës politike dhe të sigurisë, me kërkesa të tilla absurde për NATO-në.

Qëllimi i tij është që në njërën anë të ushqejë grupet radikale e kriminale të shquara për pjesëmarrje në krimet e luftës në ish-Jugosllavi me këso lajmesh që lanësohen në formë scoop-i, e në anën tjetër, kërkon që aktivitetin e tij kriminal në drejtim të minimit të demokracisë dhe sundimit të ligjit në një shtet fiqnj ta mbështjellë me kërkesa të pazbatueshme, provokuese dhe ektreme në drejtim të NATO-së për të shmangur ndonjë formë presioni perëndimor për shkak të sjelljeve të tij si një lider politik i një shteti që sponsorizon politika e aktivitete destabilizuese e pro ruse në Ballkanin Perëndimor.

Shteti i Kosovës, Qeveria dhe diplomacia jonë po vazhdojnë aktivitetin në drejtim të veprimeve intensive për forcimin e rendit dhe ligjit në terren dhe poashtu në drejtim të shkembimeve diplomatike me shtetet anëtare dhe vet NATO-në për të dekonstruktuar këtë politikë djallëzore të Serbisë e cila fjalët i ka properëndimit ndërsa sjelljet dhe aktivitetet pro Rusisë.