Broja mund të ketë mbyllur sezonin, Chelsea gjen zëvendësuesin

Armando Broja pësoi një dëmtim në gju gjatë miqësores së djeshme të Chelsea ndaj Aston Villa.
Edhe pse ende nuk ka dalë rezultati i analizave, dëmtimi duket i rëndë dhe klubi londinez ka vendosur që të marrë menjëherë masa për zëvendësimin e sulmuesit shqiptar. Sipas mediave angleze, stafi i “Bluve” ka frikë se Broja ka dëmtuar ligamentin e kryqëzuar të gjurit dhe mund të ketë mbyllur sezonin.
Chelsea ka kthyer sytë nga talenti i Borussia Dortmund, adoleshenti Youssoufa Moukoko, të cilin po kërkon ta sjellë në Londër që në janar.
18-vjeçari ka shkëlqyer këtë sezon në Bundesligë, duke shënuar 6 gola në 14 ndeshje, dhe u bë gjithashtu lojtari më i ri që luan për Gjermaninë në një Botëror.