75 Mall Live Search
10:15 / E Enjte, 19 Janar 2023 / AR

Gërvalla: Kosova kurrë nuk do ta pranojë një asociacion serb që është në kundërshtim me Kushtetutën

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gervalla ka përsëritur se vendi nuk do të pranojë asnjëherë një Asociacion të Komunave Serbe me kompetenca ekzekutive, duke shkelur Kushtetutën.

Qeveria e mëparshme e Kosovës e pati nënshkruar një marrëveshje për formimin e Asociacionit, i cili do të funksiononte në Kosovë në mënyrë të pavarur nga institucionet shtetërore. Gjykata Kushtetuese vendosi kundër asaj marrëveshjeje dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se serbët etnikë janë të mirëpritur ta themelojnë një shoqatë, por ajo do të funksionojë si një OJQ, raporton rrjeti i pavarur mediatik pan-evropian, EURACTIV.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë vazhdimisht se një strukturë paralele nuk mund të bashkëjetojë me qeverinë dhe do të ishte e dënuar me dështim, si në Bosnje dhe Hercegovinë, transmeton Indeksonline.

Gërvalla tha të hënën se asociacioni siç dëshiron Serbia dhe serbët etnikë nuk është i mundur.

“Asociacioni për të cilin palët janë marrë vesh në Bruksel, por për të cilin palët kanë rënë dakord që të zbatohet vetëm pasi të ketë kaluar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, nuk mund të zbatohet sepse është në kundërshtim me kushtetutën”, tha Gërvalla, duke shtuar se një vendim për të implementuar diçka e që shkel kushtetutën, nuk duhej të ishte marrë asnjëherë.

Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, Gërvalla tha se Serbia duhet të bëjë lëshime në lidhje me të drejtat e shqiptarëve në Serbi dhe “shumë tema të tjera”. Shqiptarët etnikë që jetojnë në Luginën e Preshevës janë fshirë nga regjistri civil në atë që është përshkruar si “spastrim etnik administrativ”, duke i penguar ata të votojnë, të kenë qasje në kujdesin shëndetësor dhe të kryejnë detyra të tjera bazike./Indeksonline/