Bajqinovci: Skenat teatrale në Parlamentin serb vazhdimësi e politikës hibride, opozita kosovare po tenton të minojë përpjekjet e Qeverisë

Deputeti Mefail Bajqinovci i ka quajtur veprimet e sotme në parlamentin serb si vazhdimësi të politikës hibride që Serbia ka aplikuar në fundshekullin e kaluar.
“Politika zyrtare në Serbi po përdorë taktikat e njëjta me Millosheviqin, që provonin krahasimin e tij me Vojisllav Shehelin për ta bërë të duket kreu shtetëror i moderuar” ka thënë Bajqinovci.
Ai ka shtuar se opozita kosovare po përpiqet të minojë përpjekjet e Qeverisë për parandalimin e rreziqeve që fshehen pas AKSHS.
Ky është postimi i plotë i tij:
Skenat teatrale në Parlamentin e Serbisë, janë vazhdimësi e politikës hibride që Serbia i aplikoi në fundshekullin e kaluar, kur në skenën e diplomacisë dhe të politikës zyrtare thureshin skenare të përkushtimit të rrejshëm për paqe të Beogradit zyrtar, e në anën tjetër, tanket serbe vazhdonin shkatërrimet e vrasjet.
Politika zyrtare në Serbi po përdorë taktikat e njëjta me Millosheviqin, që provonin krahasimin e tij me Vojisllav Shehelin për ta bërë të duket kreu shtetëror i moderuar.
Rezultati i aksioneve e skenave politike që i pamë sot në Serbi, është për të vënë në lajthitje faktorin ndërkombëtar për ta shitur sa më shtrenjtë ‘konstruktivitetin’ në procesin e arritjes së marrëveshjes për normalizim me Republikën e Kosovës, më saktë, është reflektim i frikës se mos faktori ndërkombëtar, do të reflektojë karshi rezistencës së Qeverisë Kurti për të marrë parasysh rreziqet e skenarëve të bosnjëzimit të Kosovës.
Opozita atje po i vetëofrohet Vuçiqit për të neutralizuar rezistencën e Kosovës derisa opozita në Kosovë po përpiqet në çdo hap të minojë përpjekjet e Qeverisë tonë për parandalimin e rreziqeve që fshehen pas AKSHS.
Opozita kosovare në termat e efekteve politike të saj, nënkuptojnë partneritet me pragmatistët ndërkombëtar e me vet politikën zyrtare të Vuçiqit e Serbisë, vetëm e vetëm që të minojë rolin e Albin Kurtit në ruajtjen e sovranitetit, integritetit dhe rendit aktual kushtetues në Republikën e Kosovës.