75 Mall Live Search
13:45 / E Enjte, 09 Shkurt 2023 / B O

Kurti fton opozitën t’i thonë ‘JO’ Escobarit ashtu siç i thonë atij

Kuvendi i Kosovës po mban seancën plenare.Debati në Kuvendin e Kosovës, vazhdon të zhvillohet me tone të forta mes pozitës e opozitës. Shkas është marrveshja e mundshme Kosovë-Serbi si dhe zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin.

Duke ironizuar me opozitën, kryeministri Albin Kurti deklaroi se ata me aq zell se i thonë atij që mos të pranojë marrëveshjen finale pa njohje reciproke, këtë duhet t’ia thonë edhe përfaqësuesit special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Qysh tash ju inkurajon, që ashtu që jeni të vendosur se Kosova nuk duhet të pranojë marrëveshje pa njohjen reciproke në qendër, ashtu siç m’i thoni mua – aman thoni kështu me të njëjtin zell edhe Escobarit, dhe jo vetëm mua”, tha Kurti në fjalën e tij, duke iu kundërpërgjigjur deklarimeve të kryetarëve të PDK-së, LDK e Aak-së.

“Kur e takoni Escobarin, paramendojeni se e keni përpara Kurtin dhe ja thoni këto fjalë. Shërbim më të madh Kosovës nuk mundeni me i bë sesa kjo”.

Sipas tij, propozimi evropian për marrëveshje, nuk ka qenë merre ose leje.

“I kam pyetur emisarët se a është ky propozim merre ose leje. Nëse nuk është, kam thënë është bazë e mirë për diskutim të mëtejshëm”, deklaroi Kurti, duke shtuar se -“sepse nuk më kanë thënë lëre ose merre”.

Kryeministri rikonfirmoi se këtë marrëveshje e ka pranuar si platformë solide për të ecur përpara.

“Platforma është vendi prej nga nisesh, jo ku banon dikush. Si destinim, nuk është më ofruar. Është procesi negociator që i paraprin destinimit. Është kundër logjikës së negociatave”, tha Kurti.

Kreu i ekzekutivit ka këmbëngulur se ka qenë transparent sa i përket planit evropian.

Ai i ftoi liderët opozitarë ta lexojnë planin, por sipas tij, rregullat e bisedimeve nuk e lejojnë që ai plan të dalë nga zyra e tij.