Anëtarësimi i Kosovës në organizata evropiane i ndërlidhur me dialog

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola fon Cramon u ka porositur autoriteteve të Prishtinës zyrtare se suksesi në aplikimet e Kosovës në organizata evropiane, do varet edhe nga përparimi në dialogun me Serbinë.
Duke iu referuar aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës si dhe në Bashkimin Evropian, Viola fon Cramon ka cilësuar se me këto veprime, Kosova ka bërë zgjidhje të qartë strategjike të shoqërisë e cila pasqyron orientimin pro-evropian të qytetarëve të saj.
“Megjithatë, dëshiroj të nënvizoj se këto aplikime kushtëzohen si nga reformat e brendshme ashtu edhe nga angazhimi konstruktiv në dialogun me Serbinë, duke përfshirë normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë”, tha Von Cramon.
“Dialogu kërkon një angazhim dhe lidership të vërtetë politik meqë ne do të dëshironim që Kosova të mos shihet nga partnerët kryesorë ndërkombëtarë si një palë më pak konstruktive”, ka tërheuqr vërejtjen Viola von Cramon.
Eurodeputetja von Cramon i nxorri këto cilësime gjatë debatit të parë të sivjetëm për raportin për Kosovën, që u mbajt në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian.
Ajo ka vlerësuar gjithashtu se Kosova ka bërë një rrugë të madhe drejt demokracisë dhe siç u shpreh- “përkundër polarizimit politik që ekziston kohëve të fundit në Kosovë, vendi ka ecur shumë përpara vendëve të tjera të rajonit në arritjen e standardeve të demokracisë”.
Në dokumentin e prezantuar, mirëpritet aplikimi i vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Këshilli të Evropës si dhe marrëveshja për librealizimin e vizave që u arrit të fund të viti të kaluar.
I bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në dialog me mirëbesim dhe në frymën e kompromisit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, bazuar në njohjen reciproke, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Bëhet thirrje gjithashtu për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve përkatëse, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ndryshe raporti në fjalë do pësojë edhe ndryshime gjatë procesit të amandamentimit.
Pas adoptimit në Komitetin për Politikë të Jashtme, më vonë gjatë këtij viti, ky dokument do prezantohet në senacë plenare, kur pas votimit e merr versionin e Rezolutës së Parlamentit Evropian.